Roland Koeman është gati për sfidën e re me Barcelonën. Në deklaratën e fundit, trajneri i ri i ekipit katalanas ndalet te Leo Messi, ylli dhe lideri i ekipit, dhe shpreh vlerësimin e tij për punën e kryer në dy javët e para.
“Messi është më i miri në botë, është një futbollist shumë i rëndësishëm siç e ka demonstruar prej shumë vitesh. Shpresoj të përsërisë performancat fantastike edhe sezonin e ri”, deklaron holandezi, i cili është i kënaqur me punën e kryer në seancat stërvitore.
“Kemi kryer një punë shumë pozitive deri tani, lojtarët po zhvillojnë një punë shumë të mirë, intensiteti në stërvitje është i duhuri. Po rritemi fizikisht, por duhet të punojmë edhe më shumë taktikisht“, deklaron trajneri holandez i Barcelonës.
Ndërkohë ka ardhur dëmtimi i parë në ekipin spanjoll. Ansu Fati ka ndjerë shqetësime në kofshën e djathtë gjatë stërvitjes së paradites. Talenti spanjoll ka nisur rikuperimin dhe nuk është grumbulluar për miqësoren e ditës së shtunë kundër Gimnastic. /abcnews.al