I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pas takimit të delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë këtë të hënë në Bruksel, është shprehur se është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.
“Është e rëndësishme që të dy liderët këtë mëngjes, teksa kanë ardhur nga takimet e Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar se janë të lidhur me prioritetet e integrimit në Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e punës për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Lajçak.
Sipas tij, në takimin e së hënës për herë të parë është diskutuar edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, çështjet e komuniteteve joshumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.
“Ky ka qenë këmbimi i parë që na ka lejuar neve të definojmë hapat e ardhshëm të diskutimeve tona. Takimi ynë i radhës do t’iu dedikohet këtyre temave”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera ai ka theksuar se bisedimet nuk kanë qenë të lehta, mirëpo se në to është shënuar përparim.
Nga ana tjetër edhe dy përfaqësuesit e delegacioneve kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë konfirmuar të hënën në Bruksel se kanë përafruar qëndrimet e tyre për çështjen e të zhvendosurve dhe të zhdukurve si dhe bashkëpunimin ekonomik.
LEXO EDHE: Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, Hoti: Nëse nuk dakordësohemi për gjithë pikat s’ka marrëveshje
Pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, liderët kanë thënë se në kuadër të këtij dialogu janë hapur edhe dy tema: asosacioni i komunave dhe çështja e zgjidhjes së kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.
Kryeministri Hoti tha se në Bruksel ka marrë pjesë vetëm për drafitimin e një marrëveshjeje finale, e cila sipas tij duhet të përfshijë njohjen reciproke.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se në kuadër të dialogut tani po trajtohen çështje të vështira dhe palët kishin pikëpamje të ndryshme. Kjo sipas tij, bën që bisedimet të jenë më të komplikuara dhe më të vështira.
LEXO EDHE : Vuçiç në Bruksel: Jemi harmonizuar rreth çështjes së personave të zhdukurve
Ndqërkohë pritet që bisedimet Kosovë-Serbi do të vazhdojnë javën e ardhshme në nivel ekspertësh, derisa në nivel liderësh më vonë gjatë këtij muaji, përkatësisht 28 shtator./abcnews.al

