Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, Hoti: Nëse nuk dakordësohemi për gjithë pikat s’ka marrëveshje

schedule16:23 - 7 Shtator, 2020

schedule 16:23 - 7 Shtator, 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndodhet në Bruksel së bashku me presidentin serb Aleksandër Vuçiç ku po zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e nivelit të lartë të Bashkimit Europian.

Në një deklaratë për mediat Hoti  tha se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale, që sipas tij duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të hënën në Bruksel, Hoti ka thënë se do të vazhdojë të vlejë parimi se të dy palët duhet të dakordësohen me të gjithë pikat në marrëveshje ose në të kundërt nuk do të ketë asnjë marrëveshje, dakordësim ky që duhet të sjellë edhe njohjen reciproke mes vendeve.

“Në përputhje me zotimet që kemi marrë nga Samiti i Parisit para kancelares Merkel dhe presidentit Macron, për të hyrë në proces të dialogut, sot është mbajtur takimi i dytë i nivelit të lartë me palën serbe për të punuar për marrëveshjen finale, të përgjithshme, ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që duhet të dërgojë te njohja reciproke. Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, që jemi të gatshëm të lëvizim para. Dëshiroj të falënderoj zotin Borrell e zotin Lajçak dhe punën e dy ekipeve tona në përafrimin e qëndrimeve. Unë me kënaqësi e them që është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Do të vazhdojmë në takime tjera me tema tjera që duhet të adresohen, çdo që e diskutojmë është pjesë e marrëveshjes finale duke vlejtur gjithmonë parimi që ne nuk dakordohemi asgjë, derisa nuk dakordësohemi për marrëveshjen finale”, tha Hoti para gazetarëve në Bruksel.

Hoti është pyetur edhe për reagimin e BE-së në lidhje me premtimin e Kosovës se do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem. Sipas tij, kjo çështje nuk është diskutuar.