Dogjën makinat në Vlorë, kapen autorët

schedule09:45 - 13 Maj, 2018

schedule 09:45 - 13 Maj, 2018

Policia e Vlorës ka arrestuar dy autorët, të cilët ditën e shtunë dyshohen se dogjën dy automjete në afërsi të fshatit Bunavi.

Në pranga ranë Klemend Dautaj, 32 vjeç dhe Arsen Alimuçaj, 25 vjeç.

“Shtetasit e mësipërm për motive ende të paqarta dyshohen se kanë djegur automjetin “Ford-Fugon, në pronësi të shtetasit N.A., (babai Arsenit) dhe mjetin tip Volkswagen-Golf, në pronësi të shtetases R.D., (nëna e Klemendit)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, nga burime zyrtare mësohet se do të hetohet në gjendje të lirë 55-vjeçari, N.A., pasi ka dhënë deklaratë të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore.

Këta persona do të përballen me akuzat e ”Shkatërrimit të pronës me zjarr”, ”Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe ”Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Disa banorë të fshatit Llakatund gjetën të shtunën në mëngjes herët dy mjete të shkrumbuara në një rrugë dytësore. Mjetet ishin lënë 100 metra larg nga njëra – tjetra dhe u ishte hedhur një sasi e konsiderueshme benzinë. Zona ku u gjetën makinat është një rrugë dytësore që të çon nga fshati Llakatund drejt fshatit Bunavi, por përdoret shumë pak nga banorët./abcnews.al