Në një mbledhje të organizuar nga Prefekti i Gjirokastrës, kryetarët e bashkive të Qarkut janë ankuar për mungesën e mjekëve dhe infrastrukturës në Qendrat Shëndetësore. Qyteti i Gjirokastrës dhe jo vetëm nuk kanë personelin mjekësor të nevojshëm për të përballuar fluksin e pacientëve.
Në një kohë kur temperaturat sa vijnë e rriten Gjirokastra po përballet me një problem të madh. Bashkitë e qarkut vuajnë mungesën e mjekëve, kurse në spitale paraqiten çdo ditë më shumë pacientë.
Kjo ishte një nga arsyet kryesore pse prefekti Astrit Aliaj thirri në mbledhje drejtuesit e institucioneve kryesore në Gjirokastër.
Kryetarja e bashkisë Libohovë Luiza Mandi tha se gjendja është akoma më e rëndë në zonat e thella. Ambulancat dhe qendrat shëndetësore janë lënë në mëshirë të fatit.
“Gjendja lë për të dëshiruar, shërbimi që i ofrojnë popullsisë, duhet vlerësuar dhe vënë në dispozicion një mjek në qendrat e thella, të një mjeti, ose të dalë fondi për karburant”.
Asistencë mjekësore kërkohet edhe për policinë kufitare. Për çdo rast që mund të paraqitet në kufi me emigrantët që vijnë duhet të marrin shërbimin e duhur. Kjo për të shmangur edhe ngarkesën me pacientë në spitalin e Gjirokastrës./abcnews.al