Nga Juxhin Mustafaraj
Shtatori pritet të jetë një stinë e nxehtë politike kur kanë ngelur edhe 8 muaj nga zgjedhjet e ardhshme politike.
24 orë pasi kryeministri Rama nisi fushatën e tij nga Elbasani, kreu i demokratëve Basha jep sinjalet se edhe opozita e tij nuk do të qëndroj pasive.
Por krahas aksionit politik dhe denoncimeve, demokratët janë të gatshëm për të dialoguar ndryshimet e fundit Kodit Zgjedhor përpara se t’i ftojnë shqiptarët në Kutitë e Votimit.
Edhe pse nuk ka një datë për mbledhjen e radhës së Këshillit Politik, për nënkryetarin e PD, Edi Paloka opozita e ka të qartë çfarë ka të panegocueshme në tryezë.
“Kemi propozuar hapjen 100% të listave, megjithatë jemi të hapur që të arrijmë në marrëveshje me këtë pikë. Pika ku nuk ka çfarë diskutohet është ajo e koalicioneve”, tha Paloka.
Emërimi i drejtuesve politikë nga socialistët për Palokën nuk kishte asnjë risi.
“Rama përcaktoi po grupin e hajdutëve që ka pasur më parë. Të njëjtët persona që kanë vjedhur jo vetëm zgjedhjet , por edhe shqiptarët në 8 vite. Këta do të jenë njerëzit që në fund të fundit janë edhe grupi më i ngushtë i Ramës”, u shpreh Paloka.
Pas mesit të shtatorit edhe Partia Demokratike pritet të ketë gati emrat e saj politikë që do të kenë në krye të qarqeve.
“Është një proces që mbyllet, brenda mesit të shtatorit dhe në bazë të rezultatit të procesit do të presim edhe pjesën tjetër të fillimit të fushatës zgjedhore”, theksoi ai.
Të premten Lulzim Basha është thirrur nga Presidenti Meta në takim për të konsultuar datën e zgjedhjeve, por a ka PD një datë të preferuar?
“Sa më shpejt të zhvillohen zgjedhjet aq më shpejt largohet kjo qeveri dhe aq më shpejt fillon kthimi në normalitet për shqiptarët”, tha më tej Paloka.
Që nga muaji qershor, Partia Demokratike është e përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë.
/abcnews.al/