Sezoni i ri në Bundesligë fillon në datë 20 shtator dhe skuadra si Dortmund, Leipzig apo Bayer Leverkusen, kanë detyrën e vështirë për të thyer dominimin e Bayern Munchen.
Djemtë e Julian Nagelsmann shkëlqyen sezonin e fundit, duke arritur për herë të parë në histori në gjysmëfinalet e Champions League. Shorti i ka vënë përballë Mainz në javën e parë të kampionatit, sfidë që luhet në shtëpi.
Drejtuesit e Leipzig po punojnë për rikthimin gradual të tifozëve në shkallë. Objektivi është që në duelin e 20 shtatorit të jenë të pranishëm 8500 tifozë, por miratimi nuk është dhënë akoma.
L’Equipe raporton se autoritetet gjermane e kanë bërë të qartë: nëse kurba e infektimit me koronavirus qëndron poshtë 20 persona në 100 mijë, atëherë tifozët mund të lejohen të mbështesin skuadrën e zemrës.
Situata është pozitive, teksa, për momentin, vetëm 3.2 persona në 100 mijë po preken nga Covid-19. Nëse gjendja qëndron në këto ritme dhe nuk përkeqësohet, një nga katër skuadrat më të mira të sezonit të kaluar në Evropë, do të mbështetët nga 8500 tifozë kundër Mainz. /abcnews.al