Opozita bllokon foltoren, ndërpritet seanca

schedule12:00 - 10 Maj, 2018

schedule 12:00 - 10 Maj, 2018

Si kishte paralajmëruar opozita parlamentare nuk lejoi zhvillimin normal të seancës plenare edhe këtë të enjte.

Kjo erdhi pas shprehjes së qëndrimit politik të demokratëve, të cilët përmes kreut të kësaj force politike Lulzim Basha lajmëroi fakte të reja për denoncimin e një dite më parë: mbrojtjen politike nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndaj vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim të gjykatës italiane për trafik droge.

Lulzim Basha: Sipas ligjit, detyrë kryesore e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, është pikërisht identifikimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, në mungesë. Pra, është detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7 vjet e dy muaj burgim. Ku është forca e ligjit? Por Fatmir Xhafa nuk është mjaftuar me kaq. Neni i miratuar në Komision parashikon për ekstradimin se: “Në rastin e parashikuar kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues të njohë vendimin penal dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen proçedurat e esktradimit”. Neni i falsifikuar: “Kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit, përndryshe, as nuk ekstradohet, as nuk e vuan dënimin në Shqipëri”.

Me përfundimin e kohës për fjalën e kryeopozitarit dhe refuzimin e kreut të kuvendit Gramoz Ruçi për zgjatjen e saj, me urdhër të Lulzim Bashës, opozita bllokoi foltoren, ndërsa kreu i Kuvendit ndërpreu seancën.

Kjo nuk ndaloi opozitën të vijonte deklaratën politike, duke vënë në jetë paralajmërimin e mediave për transmetimin e saj direkt përmes rrjetit social Facebook, ku fjalën e mori lideri historik i demokratëve.

Sali Berisha: “Këtu nuk është fjala për Agron drogën, Agron Xhafën, po është fjala për Edvin Kristaq Ramës, është fjala për Agron Xhafën, është fjala për këta uzurpatorë trafikantë të ndyrë që kanë zaptuar me drogë karriget e tyre të turpit”.

Në përfundim të denoncimit, opozita braktisi sallën në shenjë proteste duke u zhvendosur në selinë blu ku zhvilluan mbledhje të grupit parlamentar./abcnews.al