OSBE apel Kosovës dhe Serbisë: Ndani sportin nga politika

schedule15:17 - 9 Maj, 2018

schedule 15:17 - 9 Maj, 2018

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas ndalimit të përfaqësueses së vendit në karate për t’u futur në Serbi ku po zhvillohet kampionati europian i këtij sporti. OSBE i ka bërë apel Prishtinës dhe Beogradit të ndajnë sportin nga politika.

Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka bërë apel Prishtinës dhe Beogradit që të ndajnë sportin nga politika. Përmes dy reagimeve, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë ka shprehur shqetësimin pasi Federata e Futbollit të Kosovës nuk lejoi që klubi serb i futbollit, Crvena Zvezda, të luajë një ndeshje miqësore në Graçanicë.

Në deklaratën e publikuar nga mediat kosovare shkruhej se në lidhje me këtë dhe anulimet e ngjarjeve të tjera sportive kohëve të fundit, misioni i OSBE-së dëshiron të ritheksojë nevojën për ndarjen e çështjeve politike nga ngjarjet sportive dhe ruajtjen e frymës së sportit në të gjitha disiplinat. OSBE ka reaguar edhe pas ndalimit të ekipit kosovar të karatesë, të cilët u kthyen në kufi mëngjesin e të mërkurës dhe nuk u lejuan të marrin pjesë në një turne në Novi Sad.

Nga ana e saj, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, deklaroi se Kosova nuk mund të marrë pjesë në asnjë mënyrë në Kampionatin Evropian të Karatesë që mbahet në Novi Sad.  Sipas saj, Kosova s’mund të marr pjesë me simbole kombëtare në këtë ngjarje dhe se me ndalimin që iu është bërë nuk është shkelur asnjë marrëveshje. Brnabiç theksoi se në marrëveshjen e Brukselit të arritur mes dy vendeve shkruhet qartë se për çdo vizitë zyrtare, shteti duhet të dërgojë një njoftim zyrtar 48 orë para hyrjes në Serbi. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!