Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë nga Vjena deklaratat për një marrëveshje të fshehtë për detin me Greqinë.
Rama tha se deklarata e Mitsotakis nuk kanë lidhje me ujërat tanë territorialë.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, kryeministri deklaroi se me palën greke po punohet në mënyrë konsrtuktive. Sipas Ramës, marrëveshjet shtetërore nuk bëhen dot fshehurazi ndërsa shtoi se nuk bëhet fjalë për konspiracion mes palëve.
Po ashtu, kryeministri adresoi edhe deklaratat e presidentit, duke i thënë që “të mos e ngatërrojë Kushtetutën tonë me të drejtën e Greqisë për zgjerim në det.”
Rama u shpreh:
“Nuk jam në dijeni të kësaj harte. Edhe njëherë, deklarata e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë territorial, as me marrëveshjen, për të cilën po punojmë, por nuk e kemi arritur akoma. Nuk ka lidhje me asgjë me ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme, ose nga padituria, për të nxitur një shqetësim artificial. Nuk ka lidhje, pasi shtrirja në 6 milje në ujërat territorial është një e drejtë e çdo vendi. Shqipëria është shtrirë me 6 milje që prej vitit 1990, Greqia nuk ka çfarë kontenston. Midis ujërave territorial të vendeve ka ujëra të ndërmjetëm, ndërkombëtarë, njësoj siç ka rrugë për të kaluar mes vendeve. Edhe në det ka rrugë të përbashkëta për të kaluar.
Marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike të përcaktuar nga Konventa është e drejtë e çdo shteti. Nuk ka lidhje me atë që po bëhet mes Turqisë dhe Greqisë. Ajo që po ndodh mes tyre është një marrëveshje për denimitimin e ujërave territorial të tyre. Harta që dalin, sic dilnin ato harta që do copëtohej Kosova, ato siç dalin harta si do shtrihet Shqipëria përtej vetes, nuk kanë lidhje me realitetin.
E fundit, dua të them që një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. Nuk është një konspiracion që bëhet mes dy palëve, marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionale dhe bëhet ligj. Nuk është diçka që mbahet fshehtas. Sa i përket transparencës, sa kohë ne jemi në negociata, ato nuk bëhen në popull, por qëndrimi ynë është i qartë. Ky debat ka shpërthyer dhe një herë tjetër, kur e bëri deklaratën ministri i Jashtëm grek, por është pa lidhje me temën. S’ka asgjë këtu për të mos kuptuar. Mjafton të ndiqet fillimi i arsyetimit”, sqaroi kryeministri.
Sa i takon kryesimit të OSBE, kryeministri shqiptar theksoi se “Ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në aspektin emarrëdhënieve ndërkombëtare, në aspektin e imazhit të saj. Shqipëria e meriton OSBE. Nuk është proces elektoral që po zhvillohet në Vjenë, as process ku ne po përpiqemi të bëjmë politikë të brendshme, por është një proçes ku ne po bëjmë çmos të nderojmë vendin tonë dhe ku pas kësaj Shqipëria të jetë në një kuadër më të lartë, qoftë në aspektin e miqve, por edhe të botës mbarë, që përfshijnë hartën e komunitetit të OSBE”. /abcnews.al/

