Tirana uron rivalët, Teuta kalon përtej kufijve të Shqipërisë londineze

schedule10:38 - 28 Gusht, 2020

schedule 10:38 - 28 Gusht, 2020

Urimet ishin të shumta, pas një nate historike me Teutën, Laçin dhe Kukësin që kaluan në turin e dytë të Europa League. Kampionët e vendit uruan rivalët në kampionat për arritjen e objektivit, gjë që nuk ndodh shpesh në futbollin shqiptar.

“KF Tirana uron skuadrat shqiptare, KF Teuta, KF Laçi dhe FK Kukësi për kalimin e turit të dytë të Europa League. Gjithashtu përgëzon dhe falënderon Federatën Shqiptare të Futbollit për mbështetjen e vazhdueshme që i bën ekipeve vendase si dhe për nivelin Europian të organizimit të kampionateve. Suksese në vazhdim”, shkruhet në postimin e klubit të Tiranës.

Sot ka ardhur edhe urimi i Teutës, që përfshin edhe klubet shqiptare në Maqedoninë e Veriut: “Dje, Europa League foli shqip! Në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Një super mbrëmje për skuadrat shqiptare!

Pas kualifikimit të Teutës më herët gjatë ditës, vjen edhe suksesi i KF Laçit në transfertë si edhe triumfi i Kukësit ndaj Slavia Sofies. Është fantastike, më bukur se kaq nuk kishte ku të shkonte! KF Teuta uron skuadrat shqiptare, KF Tirana, KF Laçi, FK Kukësi, KF Shkëndija dhe KF Renovën për kalimin në turin e dytë të Uefa Europa League. Suksese në vazhdim”. /abcnews.al