Tirana do të presë në fund të nëntorit një Samit të rëndësishëm të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor për investimet.
Një forum i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik që bashkon përfaqësuesit më të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues të bizneseve nga Ballkani dhe Europa.
Në qendër të diskutimeve do të jenë sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.
Ky është takimi i dytë i këtij lloji që mbahet në Shqipëri. Rikthehet në vendin tonë me synimin për të nxitur investime të reja, për të forcuar partneritetet strategjike dhe për të krijuar mundësi konkrete bashkëpunimi mes bizneseve europiane dhe atyre të rajonit.
Përmes paneleve të nivelit të lartë, takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve dhe sesioneve të posaçme për krijimin e partneriteteve, forumi synon të shndërrojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në projekte dhe mundësi konkrete investimi.
Mbajtja e këtij forumi në Tiranë përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, forcimin e bashkëpunimit me investitorët europianë dhe avancimin e integrimit ekonomik të rajonit me tregun e Bashkimit Europian.


