Rama me dy “sihariqe” për Tiranën

schedule12:00 - 6 Maj, 2018

schedule 12:00 - 6 Maj, 2018

Projektin për ndërtimin e kullave në Tiranë, i propozuar që në kohën kur ishte kryebashkiak, kryeministri Edi Rama deklaroi se do ta realizojë në drejtimin e kryeqytetit nga Veliaj. Në hapjen e segmentit të dytë të Bulevardit të ri, kreu i qeverisë e rikofirmoi Erion Veliaj si kandidat për mandatin e dytë në krye të Bashkisë Tiranë.

Ndërtimi i kullave në Tiranë ishte sfida e punës së Edi Ramës si kryebashkiak. As pas 18 vjetësh nuk ka hequr dorë. Si kryeministër garanton se ato do të ngrihen.

“Uroj të shohim sa më shpejt kulla të reja”.

Nuk e vlerëson aspak debatin që zhvillohet prej vitesh për realizimin ose jo të projektit francez me kullat qiellgërvishtëse.

“Në Tiranë, zhvillohet një debat idiot lidhur me pikërisht ato që janë edhe shprehjet më kuptimplota dhe më cilësore të zhvillimit të kryeqytetit të së ardhmes. E kam fjalën për ndërtimet ikonike të Tiranës që janë kullat e parashikuara në planin francez dhe që do të pasohen besoj e shpresoj sa më shpejt edhe me kullat e parashikuara në këtë anë të Tiranës”.

Ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës është një projekt i nisur nga ish-kryebashkiaku Lulzim Basha. Por për kryeministrin sot duhet të duartrokitet kryetari aktual i Bashkisë, Erion Veliaj, që i dha gaz punimeve për të përfunduar me ritme të shpejta edhe segmentin e dytë të këtë bulevardi.

Sikur ky bulevard të ndërtohej me ritmet që përcaktuan ecurinë e tij në katër vitet përpara zgjedhjes së Erjonit në krye të bashkisë, do të duheshin 60 vjet për të arritur këtu ku kemi arritur sot dhe mbase edhe 30 vjet të tjera për të shkuar aty ku faktikisht do të shkojmë deri në fund të vitit të ardhshëm”.

Më shumë do të bëhet në mandatin tjetër të Erion Veliajt, duke i dhënë përgjigje  zërave dyshues për emrin e kandidatit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës.

“Jo vetëm në këtë mandat të kryetarit të bashkisë së Tiranës, ne do të bëjmë shumë më tepër se ç’është bërë në shumë vite më parë të mbledhura sëbashku, por në mandatin e ri qeverisës, ne do të bëjmë me siguri, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë e Tiranës, shumë më tepër se c’është bërë në këto thuajse 3 vite të mandatit të bashkisë së Tiranës”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!