Merkato e Superiores ka zhvillime sërish. Në Shkodër po tentojnë të përforcohen dhe ditën e djeshme raportohet se në qytetin verior ka zbarkuar sulmuesi Ismael Dunga. Futbollisti nga Kenia, i cili ka spikatur me Luftëtarin në Superiore dhe më pas kaloi te Tirana, mund të nënshkruajë sot me Vllazninë.
Uheid Hoxha është një emër tjetër që ka dalë në skenë te shkodranët. Mesfushori me tipare sulmuese vjet ishte pjesë e Besës dhe tani mund të rikthehet në ekipin “mëmë” e të luajë në Superiore. Veç afrimeve, në Shkodër po punojnë edhe për rinovimet.
KUKËSI DHE SKËNDERBEU – Verilindorët duan edhe një portier tjetër. Bisedimet me Shpëtim Moçkën nuk kanë shkuar si duhet dhe tani po tentohet afrimi i Dimitri Stajila. Moldavi, vjet pjesë e Laçit që doli në vend të tretë, mund të rikthehet te Kukësi, aty ku për herë të parë ka luajtur në Superiore.
Në Korçë situata është e rëndë. “Panorama Sport” raporton se UEFA ua ka bllokuar merkaton korçarëve. Skënderbeu nuk e ka paguar ende borxhin 1 milion euro që ka ndaj qeverisë europiane të futbollit dhe trajneri Julian Ahmataj duhet të shqetësohet, pasi nga bardhekuqtë janë larguar shumica e lojtarëve të sezonit të shkuar. /abcnews.al