Një sulmues shtatlartë për Vllazninë. Dardan Rexhepi, i cili ka luajtur me Suedinë U21 dhe vjet e mbylli sezonin me Norrby (divizioni i dytë suedez), raportohet se e pret klubi shkodran. Ky është prej lajmeve të veçuara nga “Panorama Sport” në faqen e saj të parë.
Rexhepi, i gjatë 190 centimetra, është në aktivitet dhe deri më tani ka shënuar 2 gola me skuadrën e tij. 28-vjeçari ka luajtur në 12 ndeshje në kampionat, por vetëm tre prej tyre i ka nisur nga fillimi. Në të shkuarën, sulmues i lindur në Prishtinë ka luajtur me Malmo dhe ka fituar dy herë titullin kampion.
Brommapojkarna, Hacken, Gais janë ekipet e tjera me të cilat ka luajtur në Suedi, shtatlarti i sulmit. Në Shqipëri Rexhepi është bërë i njohur edhe prej faktit që ka miqësi me Zlatan Ibrahimovic.
Në një intervistë të dhënë 6 vjet më parë, ai zbuloi se ylli i Milanit madje di edhe pak shqip. “Ibrahimovic di të flasë disa fjalë në gjuhën shqipe. Ai do të komunikojë pak në shqip, i di disa fjalë.
Shpesh thotë: ‘Çfarë ka për me hangar?’, ‘Qysh je?’, ‘Çka po bon?’. Ai di disa fjalë, sa për të bërë një bisedë të zakonshme. Ai e kupton shqipen, pasi vjen nga një kanton në Suedi, ku ka shumë emigrantë, ndër të cilët shumë shqiptarë”, tregonte asokohe Rexhepi. /abcnews.al