Reali për herë të tretë radhazi në finale

schedule11:41 - 2 Maj, 2018

schedule 11:41 - 2 Maj, 2018

Reali i Madridit arriti finalen e tretë radhazi në Champions, por me shumë vështirësi dhe me shumë polemika ndaj Bajernit. Trajneri bavarez, Hajnkes, u shpreh krenar për lojën e ekipit të tij.

Këto skena të mrekullueshme po bëhen të rëndomta.

Kështu është kur një ekip del tri herë radhazi në finale të Championsit, dhe ky ekip nuk mund të jetë tjetër përveçse, Reali.

Madrilenët ia dolën me shumë fat, por nuk mund të thuhet se nuk patën meritë.

Një skuadër që arrin një finale Championsi, padyshim është shumë e mirë, nëse bëhen dy radhazi, atëherë ekipi është i veçantë, ndërsa nëse suksesi shkon në tre, atëherë po flasim për një skuadër të madhe.

E tillë është padyshim kjo e drejtuar nga Zinedine Zidane.

Zinedine Zidane: “Një ndeshje e çmendur, por njëkohësisht edhe shumë e mirë për tifozët dhe për futboll. Duhet të falenderoj rivalin që bëri një ndeshje të madhe, por duhet të përgëzojmë veten tonë, edhe pse e patëm shumë të vështirë, sidomos në pjesën e parë. Gjithsesi, e përsëris se në Champions nuk arrin dot asgjë pa vuajtur, dhe arritja e një finaleje në këtë mënyrë, ka shije më të mirë. Jam i lumtur për Benzema, që ishte vendimtar me golat e tij, po ashtu për Keylor që bëri një paraqitje të shkëlqyer. Tani, le të gëzojmë pak dhe të përgatitemi për finalen e Kievit, por edhe për ndeshjet e mbetura në kampionat”.

Trajneri francez përjetoi një dramë të vërtetë ndaj Bajernit, por ia doli duke u kualifikuar me një gol më shumë të shënuar se gjermanët.

Kjo, pavarësisht se bavarezët bënë më shumë sesa madrilenët në 180 minuta, luajtën më mirë, patën më shumë raste, mbajtën më shumë topin, dhe gjuajtën më shumë goditje nga këndi.

Bajerni bëri edhe diçka tjetër më shumë se Reali, pikërisht gabime, duke i dhuruar të paktën dy nga katër golat, një në Mynih e një në Madrid.

Nëse gabon kaq shumë, natyrshëm që nuk mund të fitosh dot, aq më shumë kur vendimet kryesore të gjyqtarit i ke kundër.

Edhe vetë mediat spanjolle pohuan se prekja e topit me dorë në zonë nga Marselo ishte për penallti.

Po ashtu, Lewandowski kërkoi një tjetër 11-metërsh, por gjyqtari Çakir nuk pranoi të akordonte asnjërën.

Bajerni u tregua përsëri skuadër e denjë e trajnerit Jupp Heynckes.

Mëkat që gjigandi veteran largohet kështu nga Championsi, ndërsa mbyll karrierën, pasi ekipi i tij meritonte finalen e Kievit.

Pavarësisht nga diferenca në klas me kundërshtarin, sërish ai i dha ekipit karakterin e fortë dhe variacionet taktike, duke iu përshtatur lojtarëve.

Ky Bajern u duk më i fortë sesa ai i Ançelotit, madje edhe se ai i Guardiolës.

Jupp Heynckes: “Nëse llogarit të dyja ndeshjet, ne ishim më të mirët. Një dëshpërim i madh për ne, pasi sot i bëmë një reklamë futbollit, në nivel ndërkombëtar, dhe e kam fjalën për të dy ekipet. Reali duhet të falenderojë Keylor Navas që ishte spektakolar, dhe bëri pritje shumë të mëdha. Gjithsesi, golin për 2-1 e dhuruam vetë. Ju e patë vetë sesi Reali në fushën e tij luajti me kundërsulm, kishte kohë që nuk shihja një Bajern kaq të madh. Shumë pak herë në Europë mund të shohësh një futboll të tillë. Këtë herë na munguan 5 lojtarë të nivelit më të lartë, gjë që u pa edhe në fushë. Nuk dua të justifikohem”.

Heroi më i madh i gjysmëfinales në “Bernabeu” ishte portieri vendas, Kejlor Navas.

Keylor Navas: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë përballë një ekipi të madh, por më në fund dolëm në finalen që deshëm, ndaj jemi shumë të kënaqur. Me 4 finale në 5 vjet po shkruajmë historinë, ekipi ynë nuk dorëzohet kurrë, por lufton deri në fund”.

Në finale do të jetë Zidane, trajneri që vuri bast dhe fitoi.

Ai la pushim disa herë Cristiano Ronaldon, por edhe ndonjë yll tjetër, përballoi një sezon të vështirë, duke sakrifikuar kampionatin e duke u turpëruar në finalen e Kupës së Mbretit, por nëse fiton Championsin, do t’i ngrihet një monument në Madrid./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!