Tirana e Partizani kanë dy çështje për të zgjidhur. Bardheblutë, gjatë këtij sezoni nuk kanë qenë të rregullt me pagesat kundrejt sulmuesit Ismael Dunga. Keniani për shumë kohë ka qenë i dëmtuar dhe nuk ka luajtur, por kërkon zbatimin e kontratës.
“Panorama Sport” raporton se Dunga kërkon gjashtë paga, ndryshe do të duhet të shkojë në gjyq për të marrë atë që i takon. Nga ana e Tiranës nuk ka ndonjë reagim, por edhe lojtarë të tjerë janë në pritje të shlyerjes së pagave të sezonit të fundit.
Te Partizani çështje është braziliani William Cordeiro. Një ditë më parë ai shpalli “divorcin” me të kuqtë, por në kontratën e nënshkruar verën e shkuar ka pasur një klauzolë për zgjatjen automatikë të marrëveshjes, në rast se lojtari nuk njofton që nuk dëshiron të ndodhë diçka e tillë. Tani mbetet të shihet se si palët do ta zgjidhin këtë çështje.
GJYQI I SKËNDERBEUT – UEFA i dënoi korçarët me 10 sezone përjashtim nga kupat e Europën dhe me 1 milion euro gjobë, ndërkohë që tani Skënderbeu duhet të paguajë edhe 75 mijë franga zvicerane për shpenzimet gjyqësore në Gjykatën Federale të Zvicrës.
Raportet e Sportradar, hartuar në bazë të sistemit BFDS (Sistemi i Kontrollimit të Mashtrimit të Basteve), konsiderohen prova për shkak se janë hartuar nga specialistë dhe duhej që pala apeluese të hidhte poshtë faktet e paraqitura, për katër ndeshjet që Skënderbeu akuzohej se i kishte trukuar.
Bëhet fjalë për takimet në Champions League, kundër Crusaders (3-2) dhe Dinamo Zagreb (4-1), si dhe takimet në grupet e Europa League kundër Sporting Lisbone (5-1) dhe Lokomotiv Moscow (0-3). Nduikim të madh pati edhe veprimtaria e një kompanie kineze bastesh, emri i të cilës mbahet sekret./abcnews.al