Kalimi i Sherrit te Laçi, Vllaznia e “kërcënon” me taksën e formimit

schedule19:10 - 9 Gusht, 2020

schedule 19:10 - 9 Gusht, 2020

Alen Sherri ka vendosur të largohet nga Vllaznia dhe të vijojë karrierën te Laçi. Portieri i talentuar arriti akordin me drejtuesit e klubit kurbinas, që zyrtarizoi afrimin e tij ditën e djeshme. Diçka e tillë nuk është pritur mirë në kampin shkodran.

Vllaznia tentoi t’i ndryshojë mendjen, duke i ofruar një kontratë më të mirë financiare se ajo që kishte në sezonin e fundit, por 22-vjeçari e ka ndarë mendjen për t’u transferuar te bardhezinjtë kurbinas. Kuqeblutë janë “dorëzuar”, por, me anë të një komunikate zyrtare, kërkojnë taksën e formimit të lojtarit, i cili është një prodhim i klubit verior.

Klubi i Futbollit “Vllaznia” njofton opinionin publik se gjatë gjithë ditës së djeshme dhe sot paradite ka qenë në kontakte të vazhdueshme me sportistin Alen Sherri, duke i ofruar atij kushte financiare disa herë më të larta nga ato të sezonit të kaluar, ndonëse aktivizimi i tij nuk ka qenë i plotë, por me objektivin e vetëm për të përkrahur elementët e rinj në zhvillimin e tyre profesional dhe për t’i dhënë mundësi aktivizimi në nivele më të larta.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, drejtuesit më të lartë të klubit dhe sponsori i Klubit “Vllaznia”, kanë rritur ofertën financiare duke pritur një përgjigje deri në mesditën e sotme, por lojtari nuk ka dhënë asnjë përgjigje, në asnjë rrugë komunikimi të mundshme.

Në kushte të tilla deklarojmë se ndërpresim negociatat me lojtarin Sherri. Klubi Futbollit “Vllaznia” dhe sponsori i ekipit kanë përmbushur çdo detyrim ndaj lojtarit në fjalë, prandaj mbeten të vendosur për të kërkuar përmbushjen nga ana e tij të të gjitha detyrimeve të formimit ndaj klubit kuqeblu, sipas rregulloreve të FSHF-së, UEFA-s dhe FIFA-s“, lexohet në komunikatën e kuqebluve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!