Alen Sherri, portieri shkodran, u konfirmuar një ditë më parë si afrimi i parë zyrtar te Laçi. I riu, produkt i Vllaznisë dhe titullar në atë skuadër, e ka pranuar ofertën e kurbinasve.
Gjithsesi te Vllaznia, edhe pse lajmi u komunikua nga klubi i Laçit, e konsiderojnë lajm portalesh dhe jo të vërtetë. Klubi shkodran ka dalë me një deklaratë, madje në një orar të çuditshëm, rreth orës 1:00 të mëngjesit.
“Klubi i Futbollit Vllaznia sqaron mbarë opinionin publik se lajmet e përhapura nga portale të ndryshme për nënshkrimin e kontratës nga ana e Alen Sherrit tek një nga klubet e Superiores nuk janë të vërteta.
Lojtari në fjalë është vlerësuar nga stafi teknik si një nga portierët më me përspektivë që aktivizohen në Superiore. Madje, brenda javës së ardhshme, Sherri do të nënshkruajë për kuqeblutë, duke u pasuar nga firma të tjera”, shkruan Vllaznia në reagimin e bërë. / abcnews.al