Shqipëria/ Deutche Welle: Qëndrimi i Berlinit ende i paqartë

schedule14:13 - 26 Prill, 2018

schedule 14:13 - 26 Prill, 2018

Qëndrimi i Berlinit ndaj çeljes së negociatave është ende i paqartë. Kështu e ka përmbledhur media Deutche Welle vizitën e kryeministrit Edi Rama në Gjermani. Sipas medias gjermane kreu i qeverisë u prit me dashamirësi, por premtime nuk mori.

I ka përmbledhur në një album takimet që zhvilloi në Berlin kryeministri Edi Rama.

Por nuk mori me vete vetëm kujtimet në foto nga shteti i parë që vizitoi menjëherë pas rekomandimit të Komisionit të BE-së për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Në takimin më të rëndësishëm të së mërkurës, kancelarja Angela Merkel nuk dha asnjë sinjal për të orientuar dëgjuesin se a do të votojë Gjermania pro çeljes së negociatave, apo do ta shtyjë këtë vendim për një moment më të përshtatshëm- shkruan Deutche Welle.

“Çelja e negociatave kërkon plotësimin e një numri parakushtesh, Shqipëria me shumë sforco i ka përmbushur disa syresh. Në javët e ardhshme ne do të krijojmë mendimin tonë përfundimtar se a ka gjëra që duhen bërë, a ka përparime dhe këtë duam ta bisedojmë edhe me kolegët tanë europianë”.

Po sipas medias Deutche Welle, kryeministri i Shqipërisë mori jo vetëm lavdërime nga Gjermania sidomos për procesin e vettingut, por edhe mbështetjen e kancelares Merkel për çuarjen përpara të reformave.

Pro dhe skeptikë janë shprehur deputetët gjermanë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Referuar artikullit të publikuar nga Deutche Welle, socialdemokratët janë treguar më të hapur dhe më të gatshëm për të përqafuar rekomandimin, shokët e partisë së kancelares Merkel janë më të rezervuar.

Pikërisht për të mënjanuar këto rezerva, Edi Rama zhvilloi disa takime të rëndësishme: me  presidentin e Bundestagut, Wolfgang Schäublen, një nga figurat më të vjetra të partisë, fjala e të cilit është me peshë, si edhe pati një dëgjim pikërisht në komisionin e Bundestagut për Çështje të Bashkimit Evropian, që drejtohet pikërisht nga Günther Krichbaum, politikani CDU që u përfol aq shumë nga disa media në Shqipëri, pasi nuk iu bashkua euforisë që kishte kapluar Shqipërinë pasi komisioni dha rekomandimin.

Mbrëmjen Rama e mbylli me një darkë me deputetë nga grupi parlamentar CDU/CSU.

Kreu i qeverisë shqiptare ishte ftuar aty të diskutonte me ministrin gjerman për Evropën, Michael Roth, për Shqipërinë dhe mundësinë e çeljes së negociatave. Roth vuri në dukje se çelja e negociatave nuk pritet me eufori nga vendet anëtare të BE-së.

“BE po kalon kohë të vështira, sepse ka një sërë problemesh të brendshme dhe nuk është e gatshme për anëtarë të rinj.”

Dipas medias  Deutche Welle veç lëvdatave për arritjet në procesin e Vettingut, Roth nuk harroi t’i kujtonte mikut të tij socialist, se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të bëhet. Ndaj duhet filluar procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit për të dëshmuar kështu se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon, tha Roth. /abcnews.al