Shënoi golin e parë dhe puthi stemën, Domi skanon sezonin e Kukësit

schedule13:16 - 30 Korrik, 2020

schedule 13:16 - 30 Korrik, 2020

Fluturim Domi shënoi golin e parë në Superiore dhe i emocionuar puthi stemën. Ndodhi gjithçka në Gjirokastër, atje ku për herë të parë Kukësi ka ngritur titullin kampion. Dje triumfoi 2-5 dhe e mbylli në vendin e dytë, ndërkohë që në klubin e Kukësit kanë menduar ta intervistojnë mesfushorin e tyre, një prej lojtarëve të paktë vendas që Kukësi ka. Domi flet për sezonin aktual, paraqitjet e tij, mundësitë e dhëna, cila është ndeshja e tij e veçantë dhe pritshmëritë që ka.

SEZONI – “Nuk ka qenë një sezon normal sepse dihet që kaluam një periudhë të madhe pa luajtur. Për futbollistët nuk është e lehtë të rrish aq shumë javë pa u stërvitur, normalisht dhe pa luajtur ndeshje, por ne jemi munduar të bëjmë më të mirën pavarësisht se nuk arritëm një trofe. Kukësi ka gjithmonë pretendime për të arritur te titulli dhe Kupa, por kështu e ka futbolli. Duhet të mendojmë për ndeshjet e Europës, pasi kemi objektiv të shkojmë sa më larg të jetë e mundur:.

ASPEKTI PERSONAL – “Do e mbaj mend këtë sezon, sepse arrita të luaj ndeshjet e para zyrtare në kampionat. Për çdo lojtar të ri është me rëndësi të ketë sa më shumë minuta në hapat e parë, sepse kështu rritesh akoma më shumë. Kërkoj shumë nga vetja dhe mund të kisha bërë më mirë këtë vit, sepse kam pasur mundësi te shënoja edhe në ndeshjet e tjera. Rëndësi gjithmonë ka suksesi i ekipit dhe unë do të rritem më shumë me kalimin e kohës dhe duke marrë minuta”.

Minutat e marra? Detyra ime është që të jap më të mirën në stërvitje dhe fatmirësisht kam pasur besimin e stafit teknik. Me punë arrihet gjithçka dhe jam munduar të jap më të mirën sa herë që jam aktivizuar. E kam pritur që do të marr minuta, pasi kam parë që stafi kishte besim tek unë dhe dua t’i falënderoj për këtë.

 

NDESHJA E VEÇANTË – “Do të veçoja ndeshjen me Tiranën, sepse zëvendësova kapitenin në një ndeshje të rëndësishme. E pata mundësinë për të shënuar golin e parë. Edhe pse nuk arrita të shënoja, do ta veçoja edhe pse luajta për pak minuta.

FESTA E GOLIT – “Unë jam rritur te moshat e Kukësit dhe jam nga Kukësi. E ndjej këtë fanellë sepse përfaqëson qytetin tim dhe normalisht është emocion i veçantë kur luan për këto ngjyra dhe puth këtë logo, ashtu si Rraman Hallaçi. Kukësi është ekip i madh në futbollin shqiptar dhe nuk është pak që të luash për këtë skuadër”.

EMOCIONET DHE PRITSHMERITË – “Shpresoj ta vazhdoj sezonin e ri këtu ku e lashë, duke shënuar gola të tjerë. Do të punoj shumë për të shënuar, sepse kështu rritet një futbollist, duke shfrytëzuar mundësitë që ka. Emocionet janë të veçanta, sepse është goli i parë në karrierë dhe do e mbaj mend gjithmonë.

Golin dua t’ia dedikoj familjes që më ka mbështetur në çdo moment dhe ka qenë me mua në çdo hap. Unë dua të ndihmoj ekipin sa më shumë të jetë e mundur. Jam ende i ri dhe te Kukësi konkurrenca është e madhe. Normalisht dua sa më shumë minuta, por e di se duhet shumë punë dhe detyra ime është të stërvitem sa më shumë”. /abcnews.al