“Më emocionuan duartrokitjet, ndihem me fat. Kam edhe një ëndërr të fundit”

schedule09:36 - 27 Korrik, 2020

schedule 09:36 - 27 Korrik, 2020

David Silva luajti ditën e djeshme ndeshjen e fundit në Premier League me Manchester City (fitoi 5-0 ndaj Norwich). Fantazisti, një ndër lojtarët më të dalluar të brezit fantastik të Spanjës që fitoi Dy Europiane dhe një Botëror, do të largohet nga nënkampionët e Anglisë pasi të përfundojë Championsi.

Shokët e skuadrës, trajneri dhe stafi teknik i dhuruan duartrokitje në momentin që u zëvendësua dhe 34-vjeçari, në një rrëfim për The Mirror, shpreh dëshirën e tij të fundit me klubin ku kaloi dhjetë sezonet e fundit.

U emocionova nga duartrokitjet që mora. Jam prej dhjetë vitesh këtu, njerëzit janë fantastikë dhe kam një raport shumë të mirë me të gjithë. Tifozët e Cityt i adhuroj, do të më mungojnë shumë. Jam krenar për karrierën time dhe faktin që kam fituar shumë tituj.

Gjithashtu edhe për mënyrën se si ia kemi dalë të triumfojmë. Jam një djalë me fat, kam kaluar shumë momente të bukura, i tillë ishte edhe ky kundër Norwich. Të gjithë do të më mungojnë. Kam edhe një ëndërr të fundit, shpresoj të fitojmë Champions League“, deklaron David Silva. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!