“Finalja” me Partizanin, Dedja: Duam fitoren, askush s’e ka motivimin tonë

schedule17:57 - 23 Korrik, 2020

schedule 17:57 - 23 Korrik, 2020

Vllaznia po kalon një moment të mirë dhe kjo falë fitores së fundit kundër Kukësit në “Loro Boriçi”. Shpresat për evitimin e vendit të tetë, janë rritur shumë dhe kuqeblutë (-2 pikë nga Bylis) do të garojnë deri në fund me ekipin ballshiot.

Nesër zhvillohet java e parafundit e Superiores dhe ekipi shkodran do të përballet në kryeqytet me Partizanin (17:45). Fitorja është alternativa e vetme për Vllazninë dhe Hysen Dedja, trajneri i skuadrës, ndihet optimist dhe beson se djemtë e tij do të arrijnë te tre pikët.

TRIUMFI I FUNDIT – “Fitorja ndaj Kukësit na ka rritur më shumë në anën psikologjike. Kjo fitore ka rritur më shumë besimin tek vetë futbollistët. Ato po stërviten shumë mirë dhe arritja e rezultateve, rrit shumë edhe moralin e ekipit tonë. Ishte një trepikësh i arritur në kohën dhe momentin e duhur. Ishte një fitore e arritur jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë”.

PARTIZANI –  “Kam folur me ekipin për takimin e radhës ndaj Partizanit, një takim shumë i rëndësishëm për ne. Unë kam po të njëjtin besim që kisha para takimit me Kukësin. Skuadra më përgjigjet në të gjithë aspektet. Këtë dëshirë dhe atë lojë që paraqitëm ndaj Kukësit, do ta paraqesim edhe ndaj Partizanit”.

TIRANA – “Ne duhet që të mendojmë vetëm për ndeshjen tonë, atë ndaj Partizanit, pastaj gara do të kërkohet që të respektohet edhe nga ekipet e tjera. Jemi të fokusuar maksimalisht te sfida jonë e radhës, do shkojmë për të marrë maksimumin ndaj Partizanit”.

SKUADRA – “Për një trajner është shumë gjë pozitive kur ke grupin e gatshëm dhe kur shumë mundësi e alternativa. Gurishta ishte një mungesë e rëndësishme në takimin me Kukësin dhe tashmë është një rikthim me vlerë. Por, mungon Malota, i cili është një pikë shumë e fortë e ekipit tonë, po ashtu do të na mungojë edhe Hygor që nuk është paraqitur. Edhe Ramadani e Bardulla vijojnë të kenë probleme. Rikthimi i rëndësishëm për ne është vetëm ai i Gurishtës”.

OBJEKTIVI –  “Unë jam shumë optimist për ta arritur një gjë të tillë, pra fitoren. Kam besim se do të arrijmë të nxjerrim një 90 minutësh shumë të mirë dhe të shikojmë një Vllazni kërkuese në fushën e lojës”.

KUNDËRSHTARI – “Unë e kam ndjekur skuadrën e Partizanit. Mund të them se ka një skuadër shumë të mirë, pavarësisht vendit në të cilin ndodhet ajo aktualisht. Ne do ta vlerësojmë në maksimum këtë skuadër. Dua të ritheksoj se motivet tona jam më të mëdha se të çdo skuadre tjetër. Mund të them se motivi ynë është edhe më i madh sesa edhe i Tiranës që u shpall kampion. Kam besimin e plotë se nuk do të jemi në “play-out. Ekipi më ka dhënë besim për këtë gjë”. /abcnews.al