Vllaznia mori një trepikësh shumë të rëndësishëm kundër Kukësit, duke ringjallur shpresat për evitimin e duelit “play-out” kundër Besëlidhjes ose Pogradecit. 1-0 fituan kuqeblutë falë golit të shënuar nga Adili në minutën e 87-të, ndërsa trajneri Hysen Dedja foli pas ndeshjes për Supersport.
“Ka tre javë që ekipi po luan mirë dhe ka lojtarë me vlera. Më vjen për ndeshjen në Korçë. Pas humbjes me Teutën 3-0, kam thënë se karakteri jonë rritet me stërvitje, pavarësisht se është fundi i sezonit. Nuk e meritojmë zonën ku po shkojmë. Rrita ngarkesën dhe skuadra m’u përgjigj. Jemi stërvitur dy herë në ditë. Sot ishte pika kulminante. Ato që kemi shprehur në stërvitje, i kemi shprehur në fushë.
Sot nuk luajta për interesat e Tiranës, por të klubit tim. Por sigurisht që kjo skuadër duhet të luajë ndershëm ndaj Bylisit. Nuk e imagjinoj dot që kampionia e Shqipërisë dhe që ka fituar në Kupë të dështojë. Nuk e imagjinoj dot, duhet që të luajnë ndershëm.
Djemtë e Vllaznisë nuk kanë pyetur kurrë për sponsor, por më thonë gjithmonë që si mund të nxjerrin maksimumin nga vetja. Kalendarin e ka Vllaznia më të fortë se Bylisi. I kam thënë sot para ndeshjes me Kukësin lojtarëve që objektivat tona janë më të mëdha se të atyre“, deklaron Dedja. /abcnews.al