Kastrioti dhe Apolonia u renditën në vend të parë në grupet A dhe B të Kategorisë së Parë dhe vitin tjetër do të garojnë në Superiore, ndërsa sot u zhvilluan ndeshjet e fundit të fazës “play-off”. Në grupin A luhej Korabi-Besëlidhja.
Vendasit ia dolën të gjenin golin e avantazhit në minutën e 13-të me anë të Skukës. Gjithsesi, Përgjoni realizoi një gol shumë të rëndësishëm për Besëlidhjen në minutën e 72-të, duke mbajtur gjallë shpresat e ekipit lezhjan për t’u ngjitur në elitë.
Barazimi mban miqtë në vend të dytë me 39 pikë, ndërsa ekipi dibran e mbyll si forcë e tretë me tre pikë më pak. Në ndeshjen tjetër, Kastrioti kryesues fitoi 3-2 në shtëpi kundër Erzenit.
Kundërshtari i Besëlidhjes në “finalen” e parakohshme do të jetë Pogradeci, teksa fituesi i këtij çifti do të përballet me vendin e tetë në Superiore për finalen e madhe. Liqenorët pritën Lushnjen në stadiumin e tyre dhe nuk kishin alternativa përveç fitores.
Ashtu ndodhi, Pogradeci iu fal golit të shpejtë të Miklovan në minutën e 16-të, ia doli të menaxhonte deri në fund këtë avantazh, parakaloi Lushnjen dhe do të luajë gjithçka kundër Besëlidhjes. Apolonia e mbylli me një barazim spektakolar 3-3 në Kavajë kundër Besës vendase, në një sfidë pa asnjë rëndësi.
Në grupin A u zhvilluan edhe dy sfida “play-out”. Tërbuni nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 kundër miqve të Egnatias dhe qëndron në vend të parafundit. Në barazim u mbyll edhe sfida Veleçiku-Burreli, më dy skuadrat që nuk e gjetën dot rrugën e rrjetës. /abcnews.al