Gjilani ia del të fitojë derbin kundër Dritës dhe lufta për titullin kampion në IPKO Superligën e Kosovës është bërë më e zjarrtë se kurrë. “Skifterat” shënuan dy gola në pjesën e dytë dhe siguruan një trepikësh shumë të rëndësishëm.
Sebino Plaku zhbllokoi shifrat në minutën e 54-t pas një topi të marrë nga Franc Veliu. Ekipi i Mezanit goditi sërish “armiqtë” e përjetshëm në minutat shtesë. Adenis Shala gjeti golin në minutën e 93-të dhe te Gjilani (e mbylli me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuqe të Oltion Rapës) nisi festa.
Kjo fitore e ngjit Gjilanin në vend të dytë me 64 pikë (kanë mbetur për t’u luajtur edhe dy javë deri në fund të sezonit), një më pak se Drita kryesuese dhe një më shumë se Ballkani i vendit të tretë, që u ndal në Suhereka në një barazim spektakolar me Prishtinën.
Vendasit e Munishit kaluan dy herë në avantazh, por Prishtina reagoi dhe sfida u mbyll 2-2. Blend Baftiu dhe Kushtrim Gashi shënuan për Ballkanin, ndërsa kryeqytetasit u përgjigjen me golat e Endrit Krasniqit dhe Oto John.
Në ndeshjet e tjera ra në sy triumfi i çmendur 5-4 i Trepça ’89 kundër Llapit në Mitrovicë, ndërsa Drenica, Dukagjini dhe Flamurtari ia dolën të siguronin tre pikët në sfidat përballë Vushtrrisë, Ferizajt dhe Feronikelit. /abcnews.al