Është mbyllur takimi mes Hellas Verona dhe Atalantas, i vlefshëm për javën e 34-ët në Serie A. Kjo sfidë, u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1, me të dy golat që u shënuan në pjesën e dytë.
Fillimisht, ishin miqtë ata që gjetën rrjetën, me anë të Duvan Zapata. Bomberi i Atalantas përfitoi nga një gafë fatale e mbrojtësit gjerman Gunter dhe i vetëm përballë portierit, nuk e pati të vështirë të shënojë (50’).
Por vetëm nëntë minuta më vonë, Hellas Verona arriti të barazojë. Rrahmani e gjen veten në sulm gjatë ekzekutimit të një goditje këndi dhe gjuan me forcë nga jashtë zone. Portieri Gollini arrin ta presë gjuajtjen e mbrojtësit shqiptar, por topi shkon të Pessina që arrin të barazojë.
Atalanta mbetet në vend të tretë, tashmë në kuotën e 71 pikëve, ndërsa Verona, në vend të nëntë me 45 pikë. Dy mbrojtësit shqiptarë, Rrahmani dhe Djimsiti, luajtën 90 minuta të plota në këtë takim, ndërsa Kumbulla nuk u grumbullua për shkak dëmtimi./abcnews.al
Serie A, java 34
Hellas Verona – Atalanta 1-1
Pessina 59’ / Zapata 50’