Maqedoni, Mogherini: Jeni në rrugë të drejtë

schedule11:03 - 19 Prill, 2018

schedule 11:03 - 19 Prill, 2018

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Maqedonisë, tha se vendi është në rrugë të drejtë sa i përket anëtarësimit në BE. Gjithashtu kërkoi që Shkupi të investojë në unitetin e vendit.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për sigurinë dhe politikat e jashtme, Federica Mogherini, gjatë vizitës në Shkup mbajti një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë. Ajo nënvizoi se është impresionuar nga puna e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. Gjithashtu kërkoi që të punohet dhe më shumë në mënyrë që vendi të afrohet drejt integrimit në BE.

 “Jeni në rrugë të drejtë. Kjo është arritje jo vetëm e qeverisë por e të gjitha institucioneve të vendit, nga presidenca deri te qeveria, organizatat dhe faktorë të tjerë. Jam e sigurt se në të ardhmen do të ketë edhe arritje tjera”.

Gjithashtu Mogherini shtoi se Komisioni Europian falenderon Maqedoninë për progresin e bërë për të përfituar rekomandimin pozitiv dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Gjatë fjalimit, në mënyrë metaforike, rrugëtimin e Maqedonisë drejt Unionit e krahasoi me një lojë e cila kalon në nivele të ndryshme dhe në secilin nivel duhet të punohet edhe më shumë për të kaluar në tjetrin. Gjithashtu shtroi disa porosi për Shkupin

“Investoni në unitet, investoni në institucionet demokratike, investoni në talentet e  njerëzve sidomos të të rinjve kreativë, investoni në aspiratat dhe dëshirën e tyre për tu bërë pjesë e BE-s. Ju e keni potencialin për të lëvizur shpejt, unë e besoj këtë dhe ju e besoni këtë. Ka një atmosferë të re në vend dhe kjo vërehet në Bruksel po edhe në vendet tjera të BE-së”.

Ndërkohë, Mogherini mbërriti në Shkup pas vizitës që zhvilloi në Tiranë. Më herët, ajo u takua dhe me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, ku tha se Shkupi deri në Qershor mund të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura në mënyrë që të mbështetet hapja e negociatave për anëtarësim në BE./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!