Rob Green, ish-portieri i QPR, ka treguar një histori të veçantë me David Silva. Spanjolli do të largohet nga “Qytetarët” në përfundim të këtij sezoni dhe sigurisht që do të marrë duartrokitjet e të gjithëve. Green është kthyer pas në kohë, në maj të vitit 2015.
QPR luante në transfertë dhe City e fitoi atë ndeshje me rezultatin 6-0 dhe normalisht për një portier diçka e tillë është shumë demoralizuese. “Po humbnim 6-0 me Manchester City në ‘Etihad Stadium’ dhe kishte akoma gjysmë ore lojë. I thashë vetes që nuk do i pësoja dhjeta gola atë ndeshje”, tregon fillimisht Green.
Më tej ai tregon edhe komunikimin që kishte pasur me David Silva, autor i një prej golave në atë ndeshje. “I bërtita David Silvas dhe i thashë të ndalojnë. ‘Ju lutem ndaloni, ju tashmë e keni fituar ndeshjen’. Ai m’u kthye dhe më tha, ‘Shoku, më vjen keq, por nuk keni asnjë shans’. E humbëm atë ndeshje dhe ramë nga Premier League”, tregon Green. /abcnews.al