Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, për mbështetjen ndaj Presidentit Bashar al-Assad në luftën civile 7-vjeçare dhe në përdorimin e armëve kimike.
Sarah Huckabee Sanders, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, tha se “vendimi do të merret në të ardhmen e afërt”.
Të dielën, Nikki Haley, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, la të kuptohet se vendimi për sanksione të reja është marrë tashmë.
Ajo tha në një intervistë për televizionin CBS NEWS, se Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin “ka për t’i njoftuar sanksionet e reja të hënën dhe se sanksionet do të prekin drejtpërdrejt kompanitë që kanë lidhje me pajsjet që janë përdorur për armët kimike të Assadit.”
Diplomatja amerikane Haley, tha se ajo mendon se “të gjithë ne dërguam një mesazh të fortë” të shtunën e kaluar me sulmet me raketa ndaj objekteve të prodhimit të armëve kimike nga SHBA, Britania, dhe Franca dhe se “shpresojmë që ata kanë për ta dëgjuar mesazhin tonë”.
Moska po e dënon mundësinë e sanksioneve të reja ndaj saj, që u shtohen sanksioneve të mëparshme të Perëndimit, si ndëshkim për mbështetjen e separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore, që luftonin me forcat e Kievit.
“Qëndrimi me sanksione ndaj Rusisë po bëhet një ide fikse”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Ne përsëri i konsiderojmë këto sanksione si të paligjshme…dhe jemi të bindur se çdo ekonomist mund të shohë përpjekje të hapura për t’i larguar kompanitë ruse nga tregjet globale. Nuk kemi të bëjmë me asgjë tjetër, veçse me një rrëmbim ndërkombëtar të pasurive tona”, – tha zëdhënësi i Kremlinit./VOA