Presidenti sirian Assad është takuar me një delegacion politikanësh rusë dhe nënvizoi se bombardimet e Perëndimit do të bashkojnë më shumë vendin. Ndërsa nga ana tjetër, Britania rithekson dhe njëherë se sulmet e Perëndimit ishin një shenjë treguese se “u mbush kupa” lidhur me sulmet me armë kimike në Siri.
“Raketat e vendeve perëndimore kundër Sirisë nuk do të kenë efekt tjetër përveç bashkimit të vendit nën udhëheqjen time”.
Këtë e deklaroi Presidenti sirian Bashar al-Asad, duke pritur një delegacion të politikanëve rusë në Damask. Presidenca siriane ka postuar një foto të takimit në profilin zyrtar në Twitter. Politikanët rusë e përshkruan Asadin si absolutisht “pozitiv dhe në një humor të mire”.
Sëfundmi për bombardimet ajrore kundër regjimit sirian reagoi dhe ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.
“Sulmet në Siri u ndërmorën për të thënë se u mbush kupa, lidhur me përdorimin e armëve kimike”, nënvizoi ai në një emision të BBC. Gjithashtu Johnson tha se veprimi nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nuk do të “shndërronte rrjedhën” e konfliktit dhe nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit.
Megjithatë theksoi se shpresonte se do të vepronte si një pengesë ndaj sulmeve kimike “barbare”. Gjithashtu kërkoi që t’i jepet fund arsenalit me armë kimike të regjimit të Assad.
Ndërkohë, Lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e veprimit. Ai bëri thirrje për legjislacion të ri për të siguruar që deputetët të marrin një votim përpara se të ndërmerren veprime të ardhshme ushtarake dhe tha se ai do të mbështeste ndërhyrjen në Siri vetëm nëse Kombet e Bashkuara e mbështesin atë. Konservatorët thanë se kjo nuk do të ndodhte kurrë për shkak të Rusisë duke përdorur veton e saj në OKB./abcnews.al