Më shumë se 60 mijë raste me Covid-19 në 24 orë në SHBA, Trump: Të hapen shkollat

schedule15:54 - 8 Korrik, 2020

schedule 15:54 - 8 Korrik, 2020

Mes rritjes së rasteve me Covid-19, veçanërisht në mesin e të rinjve, Shtëpia e Bardhë po i bën presion shkollave në të gjithë Shtetet e Bashkuara që të rihapen. “Ne do të ushtrojmë trysni mbi guvernatorët dhe të gjithë të tjerët për të hapur shkollat. Kjo është shumë e rëndësishme,” tha Presidenti Donald Trump të martën.

“Shëndeti mendor dhe zhvillimi social i fëmijëve duhet të kenë po aq përparësi sa shëndeti fizik”, tha Melania Trump. “Ne nuk e dimë akoma nëse Covid-19 infekton me të vërtetë fëmijët dhe ata më pas mund ta transmetojnë at.  Këto studime janë ende në proces”, tha për Zërin e Amerikës Dr. William Schaffner, profesor i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve “kurrë nuk ka rekomanduar mbylljen e shkollave”,tha drejtori i saj Robert Redfield në një telekonferencë me gazetarët para diskutimit  të organizuar nga presidenti.

“Unë mendoj se do të shohim një përplasje midis grupeve të prindërve, grupeve të mësuesve, grupeve të administratorëve të shkollave, të gjithë përpiqen të debatojnë mbi atë se si duket siguria dhe mirëqenia nëse rihapen shkollat këtë vjeshtë,” tha për Zërin e Amerikës John Bailey, studius i Institutit Amerikan Enterprise. Grupet e arsimit duan të paktën 200 miliardë dollarë në fonde federale për rihapjen e sigurt në një kohë kur arkat e shtetit janë varfëruar për shkak të recesionit ekonomik të shkaktuar nga pandemia. Vetëm 13.5 miliardë dollarë janë ndarë për këtë qëllim.

DeVos: ‘Shkolla duhet të rihapen’

Sekretarja e Departamentit të Arsimi, Betsy DeVos u tha guvernatorëve gjatë një bisede telefonike të martën se ajo kundërshton planet e disa shkollave lokale për të kufizuar mësimet në klasë në vetëm disa ditë në javë. “Në fund, nuk po diskutohet për çështjen nëse shkollat duhet të hapen, por mbi mënyrën si duhet bërë kjo”, tha DeVos. “Shkollat duhet të rihapen, ato duhet të jenë plotësisht funksionale dhe se si duhet të ndodh kjo është më së miri t’u lihet drejtuesve të arsimit dhe atyre të komunitetit.”

Sekretarja e Departamentit të Arsimit kritikoi veçmas zonën e Fairfaksit në Virxhinia, një nga distriktet më të mëdha shkollore të vendit, që ka vendosur që familjet të zgjedhin mes opsionit me dy ditë në javë në shkollë dhe pjesën tjetër online, dhe atij 100 për qind online. “Opsioni për të shkuar në klasë dy ditë në javë nuk është fare një zgjedhje”, tha DeVos, duke e quajtur programin mësimor online të këtij distrikti shkollore në fillim të këtij viti një “katastrofë”.

Reagimet ndaj rihapjes së mundshme të shkollave

Shoqata Kombëtare e Arsimit, e cila ka 3 milionë anëtarë, po kritikon ashpër Presidentin Trump dhe Sekretaren e Departamentit të Arsimit, Betsy DeVos. “Ata kanë zero besueshmëri për mënyrën më të mirë të mbështetjes së nxënësve dhe rihapjen e sigurt të shkollave”, tha Presidentja e Shoqatës Kombëtare të Arsimit, Lily Eskelsen Garcia, mësuese e klasës së gjashtë. “Vendi duhet të dëgjojë ekspertët e shëndetit dhe arsimtarët mbi atë se kur duhet të rihapen shkollat.”

Zyrtarët vendor të arsimit në shtetin e dytë më të madh, Tekasin, ende po përpiqen të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë kur të fillojë viti i ri shkollor muajin tjetër. Komisioneri i Departamentit të Arsimit në Florida, Richard Corcoran lëshoi një urdhër urgjent të hënën, duke kërkuar që të gjitha shkollat të hapen muajin tjetër “të paktën pesë ditë në javë për të gjithë nxënësit”.

Florida është shteti i tretë më i madh amerikan për nga numri i banorëve. Në New York, shteti i katërt më i populluar, Guvernatori Andrew Cuomo vazhdon të theksojë se ai është autoriteti i vetëm që mund të vendos se kur do të rihapen shkollat. “Ende nuk është marrë asnjë vendim për rihapjen e shkollave”, tha Guvernatori Cuomo të hënën. “Ne duam që fëmijët të kthehen në shkollë për një numër arsyesh, por ne nuk do të themi që fëmijët duhet të kthehen në shkollë derisa ta dimë se kjo është e sigurt.”

Mësimi në universitete

Presidenti Trump, në përfundim të diskutimit të së martës, e quajti “qesharak” vendimin e Universiteti të Harvardit dhe institucioneve të tjera që kanë vendosur që është shumë e rrezikshme të zhvillohet mësimi në kampus gjatë semestrit të ardhshëm.  “Kjo quhet mënyrë e lehtë e shmangies së përgjegjësisë”.

Ndaj këtyre kolegjeve dhe universiteteve, administrata e Presidentit Trump po ushtron trysni në një mënyrë tjetër, duke detyruar kampuset të rihapen dhe studentët të jenë të pranishëm fizikisht në klasë, nëse universitet duan të mbajnë të regjistruar studentët e tyre ndërkombëtarë. Zyra amerikane e Imigracionit njoftoi të hënën se Departamenti i Shtetit nuk do të lëshojë viza për studentët e regjistruar vetëm në programet online dhe Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit nuk do të lejojë hyrjen në vend të kësaj kategorie studentësh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!