Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se ndonjë bombardim i mundshëm ajror si kundërpërgjigje për sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri mund të shkaktojë një luftë mes dy vendeve. “Prioritet i menjëhershëm është të shmanget rreziku i luftës”, tha ambasadori i Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vassily Nebenzia. Ai akuzoi Uashingtonin për vendosjen në rrezik të paqes ndërkombëtare dhe tha se situata është “shumë e rrezikshme”. “Fatkeqësisht ne nuk mund të përjashtojmë ndonjë mundësi”, shtoi I dërguari I Moskës pas një mbledhje private të Këshillit të Sigurisë së OKB-së në NJu Jork.
Nebenzia nënvizoi se ka pasur rritje të “rrezikut të përshkallëzimit” për shkak të prezencës së Ushtrisë së Rusisë në Siri. Aktualisht, në mediat ndërkombëtare qarkullojnë raportime se fuqitë perëndimore po përgaten për sulme. Por Rusia, aleati kryesor i regjimit të Bashar al-Assad, kundërshton një veprim të tillë.
Zyrtarë të lartë të Kremlinit, përfshirë shefin e ushtrisë, kërcënuan se raketat e SHBA do të rrëzohen dhe do të shkatërrohen mjetet nga janë nisur nëse personeli rus do të vihet në kërcënim. Nga ana tjetër Shtëpia e Bardhë thotë se po vazhdon konsultimet me inteligjencën dhe bisedimet me aleatët për mënyrën e kundërpërgjigjes.
Ndërkohë, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, njoftojnë se ekspertët po udhëtojnë për në Siri dhe do të fillojnë një hetim të shtunën. Kërkesa për veprim erdhi pas sulmit të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma të kontorlluar nga rebelët, ku u vranë rreth 100 persona. Perëndimi akuzon regjimin e Bashar al-Assad për masakrën në fjalë. Ndërsa qeveria sirian, Irani dhe Rusia pretendojnë se sulmi është një fabrikim I perëndimit për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake. /abcnews.al