The Guardian: Kujdes nga Orban dhe Vuçiç

schedule13:35 - 11 Prill, 2018

schedule 13:35 - 11 Prill, 2018

Në një analizë të gjatë, britanikja “The Guardian”, paralajmëron për rrezikun që mund të vijë nga dyshja Orban – Vuçiç. Sipas autores së shkrimit, rreziku që vjen nga kryeministri hungarez dhe presidenti serb, nuk ka të bëjë vetëm me ideologjinë e tyre.

Kujdes nga burrat e fortë dhe të pafytyrë të Europës. Nis kështu analizën e gjatë editorialistja e britanikes The Guardian Natali Nugered, e cila i referohet kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas saj rreziku që vjen nga liderë si Viktor Orban dhe Aleksandar Vuçic nuk është vetëm ideologjia, por shfrytëzimi i paskrupullt që i bëjnë opinionit publik.

Dy javë para se të merrte fitoren e fundit në zgjedhje, kryeministri hungarez, Viktor Orban, udhëtoi në qytezën serbe të Suboticës për të takuar mikun e tij të ngushtë, presidentin serb, Aleksandar Vuçic. Jashtë Ballkanit ka shumë pak njerëz që i kushtojnë rëndësi miqësisë së fortë midis këtyre dy personazheve, por të anashkalosh diçka të tillë mund të jetë e rrezikshme. Po t’i shohësh me kujdes, kjo dyshe tregon shumë për hallkat që janë krijuar në Evropën e sotme midis intrigave politike, nacionalizmit, dhe suksesit të demagogëve, vijon më tej shkrimi.

Orbani dhe Vuçic e pëlqejnë njëri-tjetrin sepse kanë shumë të përbashkëta, edhe pse njëri e ka bërë BE-në armike duke qenë pjesë e saj, ndërsa tjetri mbetet jashtë, por me synimin për ti’u bashkuar. Janë pak a shumë të të njëjtit brez; brezi që hyri në politikë në kohë të trazuara, pas rënies së bllokut komunist. Të dy mbojnë ndjenja nacionaliste, por në të njëjtën kohë përpiqen të mos këpusin lidhjet me aktorë të rëndësishëm të BE-së, sidomos Gjermaninë. Dhe udhëheqin me dorë të fortë, pa shfaqur interes për ekuilibrat, demokracinë liberale apo shtypin e lire.

Por ajo që të befason më shumë – e që po ashtu tregon shumë për këtë fazë të saponisur në politikën europiane – është se si Orbani dhe Vuçic kanë arritur të rishpikin një imazh spektakolar të vetes këto vitet e fundit. Receta e tyre për mbijetesë dhe për t’u pozicionuar mirë në beteja politike është fakti i të qenit të pafytyrë. Ata mbushin televizionet e kontrolluara nga shteti plot me ideologji, por vetë nuk i qëndrojnë besnikë asnjë besimi. Parullat e tyre janë thjesht kostume që ndërrohen sipas rastit, kur t’u leverdisë më shumë. Fuqia u buron nga aftësia për të nuhatur se nga do të anojë opinioni publik, dhe se si mund ta shfrytëzojnë sa më mirë.

Orbani kaloi nga përfaqësues i rinisë së tranzicionit demokratik, në fund të viteve 1980, në pionier të maktheve nacionaliste që po përjeton sot Evropa. Vuçic ka qenë admirues i patundur i kasapëve gjakatarë të Ballkanit në vitet ‘90, aq sa iu bashkua stafit propagandistik të Sllobodan Milloshevic, si Ministër Informacioni. Por në fund të vitit 2010 u shndërrua papritur në një pro-europian që dukej i arsyeshëm. Ai e kishte kuptuar mirë që ëndrrat e Serbisë së Madhe kishin rënë tashmë, e që ndjenja nacionaliste ishte konsumuar e mposhtur.

Këta dy njerëz janë të rëndësishëm. Orbani i Hungarisë është magnet për të djathtën ekstreme në anë të tjera të kontinentit. Serbia ka çelësin për stabilitetin në Ballkan, një zonë e brishtë por domethënëse për sigurinë strategjike të Evropës, për të cilën Uinston Churchill ka thënë një herë se “prodhon më shumë histori se ç’mund të konsumojë”.

Bashkimi Europian ka vetëm një mjet për t’i parandaluar këta skenarë: bashkimi dhe mbrojtja e parimeve duke përdorur fuqinë e butë, me presione dhe joshje të mëtejshme. Duhet të veprojë tani dhe të mos i lejojë demagogët përfitues që të zhyten në tundimet e tyre më të errëta duke mos harruar që Vucic dhe Orban janë kameleonë, përshtaten me të gjitha rrethanat. Ashtu siç i ndërruan ngjyrat më parë, mund t’i ndërrojnë edhe tani. Pyetja është si?/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!