Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka paralajmëruar se nëse shifrat e të infektuarve vijojnë të rriten, mund të rivendoset sërish izolimi total.
Në një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti shkruan se nëse rastet me Covid-19 vijojnë të rriten me këtë ritëm, situata në Klinikën Infektive mund të dalë jashtë kontrollit. Të gjendur para kësaj situate, shkruan më tej Hoti, mjekët mund të detyrohen që të marrin vendime të vështira morale, si kujt t’i japin ndihmë më parë.
“Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona,” paralajmëron Hoti.
Më tej, Hoti thotë se nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel rregullat e vendosura për të përmbajtur përhapjen e virusit.
Postimi i plotë:
Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona.
Masat për tu mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve. Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP e kanë përgatitur manualin për masat për mbrojtje nga COVID-19, i cili është i obligueshëm. Është përgjegjësi e udhëheqësit të institucionit publik (ministri, komuna, ndërmarrje publike, agjenci etj.) dhe e pronarit të biznesit (në prodhim, restorant, shërbime, transport etj.) të sigurohen se janë marrë masat sipas këtij manuali.
Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate. /abcnews.al/


