Ahmetaj letër tatimeve: Jo gjoba biznesit të vogël për gabimet në deklarim

schedule14:27 - 7 Prill, 2018

schedule 14:27 - 7 Prill, 2018

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i ka dërguar një shkresë administrates tatimore, ku i paralajmëron që të mos gjobisin bizneset që hyjnë në pragun e Tatimit të Vlerës së Shtruar prej 2 milionë lekësh. Ministri Ahmetaj i ka kërkuar që të tregohet tolerancë ndaj gabimeve në deklarim për një periudhë 6 mujore nga fillimi i deklarimit deri në Dhjetor 2018.

Nga 1 Prilli, ka hyrë në zbatim, vendimi për uljen e pragut të qarkullimit vjetor, mbi të cilin llogaritet TVSH-ja nga 5 në 2 milionë lekë. Ndaj këtij ndryshimi, administrata tatimore duhet të tregohet e kujdesshme që të mos aplikojë gjoba për gabimet në deklarim. Këtë ua kërkon ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nëpërmjet një shkrese.

Ministri thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e administratës tatimore për informimin sa më korrekt dhe komunikimin me çdo tatimpagues që afektohet nga ulja e pragut të TVSH, për të garantuar kuptueshmëri sa më të gjerë të procesit dhe shmangien e parregullsive.

Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve nga 1 Prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-s 11,500 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar, si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së.

Pak ditë më parë tregtarët e biznesit të vogël në disa qytete ulën qepenat në shenjë proteste. Ata kërkojnë që përgjysmimin e vlerës së TVSH për bizneset e vogla dhe uljen në masën 6% e TVSH për produktet e shportës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!