Basha krah qytetarëve kuksianë: Thirrje për kryengritje qytetare

schedule17:12 - 6 Prill, 2018

schedule 17:12 - 6 Prill, 2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bën thirrje për kryengritje qytetare. Pas një takimi me banorë të Kukësit shefi i selisë blu akuzoi prokurorinë se është bërë palë me Kryeministrin për të terrorizuar qytetarët.

Protestat nuk do të ndalen! Kryetari i Partise Demokratike e bëri të ditur në një dalje për mediat krah familjarëve të protestuesve kuksianë që u ndalun me kusht për protestën e 31 marsit në rrugën e Kombit.

Lulzim Basha akuzoi kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku se po bëhet palë me kryeminsitrin Edi Rama.

“Këta janë njerëzit që Edi Rama i do në burg dhe për të cilët ka ngritur me  hetuesi politike Rama-Marku një proces për të terrorizuar qytetarët e Kukësit.

Jam krenar që jam sot pranë tyre dhe jam krenar që së bashku me deputetë të tjerë po hetohemi nga kjo hetuesi politike, e cila në mënyrë të verbër mendon se mund të mbysë revoltën e drejtë të njerëzve të thjeshtë.”

Aktet të tilla tha kryetari i Partisë Demokratike nuk e mbysin revoltën popullore.

“Edi Rama është një frikacak i mbyllur në bunkerin e tij dhe nuk arrin të kuptojë hallet që nxiti revoltën e këtyre njerëzve të thjeshtë. Futja në bunker është fundi i autokratëve të inkriminuar dhe të korruptuar.

Ndaj i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vazhdojnë së bashku kryengritjen qytetare, aktin që ndërmorën qytetarët e Kukësit për të refuzuar grabitjen dhe padrejtësinë“

Opozita sipas Bashës nuk do të ndalet derisa 11 protestuesit ende në qeli të lirohen dhe tarifa për të kaluar në rrugën e Kombit të anulohet. 

/abcnews.al