Laçi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ditën e djeshme dhe fitoi 2-0 përballë Kukësit në Kurbin. Triumf i rëndësishëm për objektivin Evropë dhe vendi i tretë në renditje. Një lajm për një premio nga Tirana qarkulloi në media të ndryshme, ku pretendohej se bardheblutë kanë shpërblyer Laçin për frenimin e skuadrës së Shehit.
Diçka e tillë ka sjellë shqetësim në kampin kurbinas. Klubi ka reaguar me anë të një postimi në “Instagram”, aty ku mohon të ketë marrë para për të frenuar verilindorët. “Reagim i detyruar, mbi lajmet që qarkullojnë për një premio dhënë Klub Futboll Laçit, me qëllim ndalimin e Kukësit. Në ndeshjen e djeshme janë shumë më të shumta arsyet pse Laçi duhet të fitonte.
Së pari për të lartësuar emrin e qytetit që përfaqësojmë, së dyti për tifozët tanë, së treti për investimet e bëra dhe realizimin e objektivit sezonal. Sigurisht, trajneri dhe stafi i tij, ashtu sikurse edhe futbollistët, kanë egon e tyre dhe duan të fitojnë në çdo ndeshje. Mjafton t’i hedhësh një vështrim tabelës së renditjes dhe kushdo e kupton se Laçi nuk kishte nevojë për asnjë arsye të jashtme për ta mundur Kukësin.
Ekipi ynë dha maksimumin dhe bëri atë që ka për detyrë çdo ndeshje. Asnjë qindarkë nuk ka ardhur në drejtim të klubit tonë, sikurse pretendohet. Ndaj, në respekt të garës, të kampionatit, të djersës së lojtarëve dhe stafit, si dhe të punës së bërë nga çdo faktor në KF Laçi, mediat dhe kushdo do të ishte mirë të mos aludonte me lajme të tilla“, lexohet në komunikatën e Laçit. /abcnews.al