Këtë të dielë del para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë, Sebastian Mali, i cili dyshohet se është një ndër autorët e përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës, me 11 qershor në Tiranë.
22 vjeçari është arrestuar në Tiranë, ku sipas policisë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 automjete dhe një sërë provash të tjera materiale, me të cilat dokumentohet implikimi i këtij shtetasi në këtë ngjarje.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton për Abc News, se mbi Malin rëndojnë dy akuza ajo e vrasjes për shkak të hakmarrjes dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë burime për Abc News bëjnë me dije se në dëshminë paraprake të tij, i riu ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe ka theksuar se në këtë zonë ndodhej pasi do të shkonte në qendrën Kristal për të blerë një bluze.
LEXO EDHE: Dyshohet se është ekzekutori, policia shoqëron 22-vjeçarin për vrasjen e Hekuran Billës
Prova kryesore që kanë hetuesin janë kamerat e sigurisë, që nga lëvizjet duket se Mali ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e viktimës dhe gjithashtu po hetohet për të parë nëse ka qenë dhe personi që ka qëlluar me armë ndaj Hekuran Billës.
22-vjeçari, që akuzohet për vrasjen e 40 vjeçarit në kryeqytet, është nipi i Prelë Markut (djali i motrës), të cilin Billa e ekzekutoi në Angli disa vite më parë. Gjithashtu në kuadër të operacionit për zbardhjen e kësaj ngjarje është vënë në pranga dhe i dyshuari kryesor për vrasjen Viktor Marku, i arrestuar në Malin e Zi. /abcnews.al