Dëbimi i turqve/Kuvendi i Kosovës voton ngritjen e Komisionit Hetimor

schedule23:27 - 4 Prill, 2018

schedule 23:27 - 4 Prill, 2018

Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmjen e së mërkurës rezolutën që mundëson krijimin e një komisioni hetimor për rastin e 6 shtetasve turq të arrestuar dhe deportuar nga Kosova. Sipas raportimeve të mediave kosovare, pas një debati të gjatë rezoluta ka kaluar me 60 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër. Rezoluta përmban tre pika, të cilat parashikojnë: ngritjen e komisionit hetimor, caktimin nga grupet parlamentare të deputetëve përfaqësues, detyrimin që Kuvendi u imponon institucioneve të përfshira që t’i përgjigjen thirrjes dhe verifikimin e kushtetueshmërisë së veprimeve të kryera në operacionin e 29 marsit. Ndërkohë, në një intervistë për televizionin “Dukagjini”, kryeministri Haradinaj i është përgjigjur sërish paralajmërimeve të Erdogan, duke thënë se punët e brendshme në Kosovë do t’i bëjë pa pyetur Turqinë. “Në shtëpinë time ka ndodhur diçka e pahijshme, ndaj kam vepruar ashtu siç parashikohet në Kushtetutë”, ka thënë Haradinaj. /abcnews.al