“Vetëm për 10 minuta”, hapet gara për tunelin e Llogarasë, Balluku: Kalimi do të jetë me pagesë

schedule12:30 - 19 Qershor, 2020

schedule 12:30 - 19 Qershor, 2020

Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku komunikuan shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të Tunelit të Llogarasë.

Rama e konsideroi një vepër strategjike për rivierën e Jonit.

Ndërkohë qytetarët do të paguajnë një tarifë fikse për të kaluar në Tunelin e Llogarasë. Gjatë prezantimit të hapjes së tenderit ndërkombëtar, ministria Balluku tha se tuneli pas ndërtimit do të kërkojë mbështetje financiare edhe nga përdoruesit duke aplikuar tarifë minimale.

“Ky do të jetë një tunel që pas ndërtimit do të kërkojë mbështetje financiare edhe nga përdoruesit duke aplikuar tarifë minimale.  Kjo do të ndihmojë të paguajë sasinë e parave që do të vendosen në dispozicion për ndërtimin e këtij tuneli. Kjo është nga elementët që kemi vendosur si kriter për garën”, tha Balluku.

Ndërsa kryeministri Rama tha se investimet do të vazhdojnë duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe sektorin e turizmit.

 “Ne jemi sot gati të materializojmë projektin e gjithë rivierës joniane. Ne kemi bërë shumë e do bëjmë për të tërhequr vizitorët e huaj.  Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet.

Edhe Aeroporti i Sarandës do të ndërtohet, ndërsa kyçi mbetet Llogaraja. Është bërë punë mbresëlënëse nga ministrja për të bërë një projekt sa më të mirë. Rruga më e mirë ishte që të cohet deri në fund projekti nga qeveria e të financohet nga buxheti i shtetit”, tha Rama.

Më tej, Rama deklaroi se ndërtimi i tunelit të Llogarasë do të hapë vende të reja pune.

“Tuneli rrit në 11 mijë vendet e punës. Të gjitha këto vepra janë krejt ndryshe të ndërtuara nuk janë rrugë të lëna rrugëve. Janë ndërtuar mbi siguri të rëndësishme.

Janë shumë gjëra për t’u bërë për Vlorën e Sarandën por edhe për Shqipërinë, por dua t’ju kujtoj se ndërsa sot flasim për projekte, përpara disa vitesh në Vlorë hyje fshehtazi. Në këtë qytet kanë hyrë e kanë dalë figura me rëndësi e hyjne në qytet fshehurazi, ku duhet të kapërceje fshehtas dhe kur shikoje drite thoshe “shyqyr që dola gjallë”.

 Sot Vlora dhe zona përreth janë bërë atraksion i madh. Sot fshatrat e jugut po transformohen dhe turizmi po merr hov në mënyrë të rëndësishme. Po ashtu, edhe vizitorët e huaj do e kenë më të lehtë të bëjnë pushime në jug të Shqipërisë. Kemi edhe projektin e Korridorit blu”, tha më tej Rama.

Ndërkohë ministrja Ballaku theksoi se viti që shkoi shënoi shifra pozitivë në turizëm.

Balluku theksoi se është një investim më shumë si për investitorët e huaj po ashtu edhe për investitorët vendas.

“Strategjia e qeverisë Rama për nxitjen e zhvillimit të Industrisë dhe Turizmit vazhdon të japë frytet e saj. Strategjia e turizmit nuk mund të funksionojë e izoluar, po ka nevojë për më mbështetjen e sektorëve të tjerë”, tha Balluku ndërsa shtoi se plani ka si qëllim të krijohet infrastruktura e duhur./abcnews.al