Gjykata e Kukësit pritet të vendosë nesër paradite masat e sigurisë për 23 personat e arrestuar mëngjesin e së dielës në Kukës për dhunën gjatë protestës në Rrugën e Kombit. Ata ndërkaq vijojnë të mbahen në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe në disa komisariate të kryeqytetit. Para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, banorë të Kukesit dhe të aferm të të ndaluarve vazhdojnë të protestojnë për lirimin e tyre.
E marta ishte dita e tretë radhazi që e gjeti të mbushur me protestues rrugën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të gjithë në mbështetje të personave të arrestuar pas protestës së 31 Marsit në Rrugën e Kombit.
Ndryshe nga një ditë më parë, policia mori masa për të bllokuar qarkullimin e mjeteve. Më të organizuar ishin edhe protestuesit.
Një flamur për dekor dhe një foni, për të sfiduar megafonin e përdorur me herët.
Protestuesit kërkojnë lirimin e të ndaluarve. Ata kanë kundërshti për taksën dhe për qeverinë.
“Taksën ne nuk e kemi për të lëvizur në Shqipëri. Për të shkuar në Kukës e me pagu tasë. Taksa është për jashtë shtetit. Çfarë takse është kjo? Pse i ka dhënë votën populli atij për të na vënë taksa? Unë jam pensionist. Mua më driddhen duart kur shkoj marr ilaçet e jo më të paguaj taksën.”
“Dy tre herë brenda ditës kalojmë aty. Çfarë kuptimi ka kjo tarifë. Të kalosh dy tre herë në ditë aty dhe të paguash 5 euro vajtje e 5 ardhje. Cfarë bëhet këtu o vëlla”!
Dikush pajtohet me tarifën, por jo me shifrën. Të tjerë nuk kursejnë ironinë.
Numri i protestuesve shënoi pikun, në kohën që në rrugë gjendeshin edhe deputetë dhe përfaqësues të partive opozitare.
Kalimtarë të ndryshëm qëndronin për pak çaste, e të tjerë injoronin grumbullimin e njerëzve.
Të tjerë e shfrytëzuan si mundësi për të bërë pak para. Nuk mungojnë as momentet e tensionit.
Në drejtorinë e Policisë Tiranë mbahen 13 nga 24 të ndaluarit në Kukës, nërsa të tjerët janë shpërndarë në komisariatet e kryeqytetit.
Mëngjesin e të mërkurës, ata do të dalin para Gjykatës së Kukësit për caktimin e masës së sigurisë./abcnews.al