Deputeti i PS, “kundër rrymës”: Listat e hapura nuk duhet të jenë tabu për mazhorancën

schedule11:11 - 14 Qershor, 2020

schedule 11:11 - 14 Qershor, 2020

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, duke mbajtur qëndrim ndryshe nga ai i partisë së tij, ka dalë pro listave të hapura.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Shameti shkruan se “është e kotë që të mohohet që hapja e listave gëzon suport qytetar”. Deputeti shkruan se pavarësisht se ka bindjen që nuk janë ndonjë “recetë çudibërëse”, listat e hapura nuk duhet të jenë tabu.

Po ashtu, Shameti, duke iu referuar opozitës jashtë-parlamentare, shprehet se “ata jashtë parlamentit e morën çfarë deshën. Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet.”

Sipas Shametit, është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe “natyrsht, si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore.” 

“Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive meme, me koalicione të mbyllura per te mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im,” përfundon ai.

Kujtojmë këtu se disa ditë më parë, kryeministri Rama është shprehur: “Kur flasim për lista të hapura, unë e di që shumica dërrmuese e shqiptarëve besojnë që janë një instrument çudibërës për të rritur cilësinë e demokracisë…por nëse listat do të ishin të hapura, në këtë rast ata deputetë që janë aty sot, ishin pjesë e listës dhe do të votohej jo thjesht mes PD, PS dhe të tjerëve, por do të votohej edhe brenda tyre. Pra, Gjuzi, apo Ngjala..”

Postimi i plotë i Adnor Shametit:
“E kotë ta mohojmë që hapja e listave gëzon suport qytetar! Pavaresisht se edhe une kam bindjen që nuk janë ndonjë recete çudibërese, listat e hapura s’duhet të jenë tabu për maxhorancën. Ata jashtë parlamentit e morën çfarë deshën. Madje shumë më shumë se sa u takonte edhe po të ishin sjellë demokratikisht këto 3 vjet. Këtu s’eshtë puna çfarë do marrin keta brenda parlamentit, po çfare do marrë populli nga ky proçes! Ne nuk duhet të shqetësohemi sa do merziten ata që janë jashtë apo sa do tronditen ata që nuk hyjnë dot me brenda po u shkeputen nga kërthiza e partive të mëdha. Besoj se është shumë e shëndetshme që të ketë hapje listash dhe natyrsh si rrjedhojë të mos ketë më koalicione parazgjedhore. Boll besoj u benë 30 vjet me kryetarë partish pa parti që futen nëpër barqet e partive meme, me koalicione të mbyllura per te mbyllur pastaj ca ministri dhe drejtori! Sikur s’ka më lezet do thoshte gjyshi im.” /abcnews.al/