Derbi mes Tiranës e Partizanit mund të luhet me tifozë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pohon për Abc News se mund të ndiqet shembulli i derbit të Beogradit, nëse e lejojnë autoritetet shëndetësore.
Ajo që ngjau në Beograd nuk ka sesi të mos nxisë krahasime. Kur gati 20 mijë tifozë ngjishen në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në derbin e Kupës së Serbisë ndaj Crvena Zvezdës, përse të mos e mendojmë edhe ne në Shqipëri?
E ka menduar dhe ka nxjerrë një përfundim edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i cili ka një mendim të qartë lidhur me derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana.
“Për ne është plotësisht e mundshme që derbi mes Tiranës e Partizanit të luhet me tifozë”, – u shpreh Duka në komunikim telefonik me Abc News. Më tej ai shtoi: “Ne jemi dakord, por për këtë duhet të vendosin autoritetet shëndetësore. Duhet të pyesni edhe kryeministrin Rama se çfarë mendimi ka”.
Nuk dihet nëse Federata, apo edhe klubet e interesuar, Partizani e Tirana, do të bëjnë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për t’u lejuar që të luhet me tifozë. Derbi i Zjarrtë i kryeqytetit është programuar të zhvillohet më 12 korrik.
Nëse kjo ndodh, atëherë ndeshja do të rihapte stadiumin “Air Albania”, që ndodhet i mbyllur prej ndeshjes mes Tiranës e Laçit, luajtur për më 8 mars të këtij viti. Derbi i fundit u luajt pikërisht në “Air Albania”, në prani të mijëra spektatorëve, duke sjellë të ardhura të mëdha për organizatorët, por edhe për Federatën. /abcnews.al