Reagon Rusia, dëbon 60 diplomatë amerikanë nga vendi

schedule20:08 - 29 Mars, 2018

schedule 20:08 - 29 Mars, 2018

Rusia i është përgjigjur me masë reciproke dëbimit të diplomatëve të saj nga Shtetet e Bashkuara, duke dëbuar 60 diplomatë amerikanë nga vendi. Në kuadër të masave, Moska zyrtare ka mbyllur edhe konsullatën amerikane në Shën Pietërburg.

Rusia ka reaguar të enjten ndaj valës së dëbimit të diplomatëve të saj nga Perëndimi, duke dëbuar vetë 60 diplomatë amerikanë dhe duke mbyllur konsullatën amerikane në Shën Petërburg.

Lëvizja e qeverisë ruse ishte njoftuar më parë nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe vjen në një kohë kur tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në janë më të acaruara se kurrë për shkak të helmimit me një agjent nervor të ish-spiunit rus dhe së bijës në Mbretërinë e Bashkuar.

Sergei Skripal dhe e bija Julia u gjetën pa ndjenja në një stol në Salisburi, në jug të Anglisë, më 4 Mars. Nga të dhënat e fundit rezulton se gjendja shëndetësore e Julias po përmirësohet dhe ajo është e ndërgjegjshme e madje në gjendje të flasë. Mjekët që e kanë nën mbikëqyrje kanë deklaruar se 33-vjeçarja u është përgjigjur mirë mjekimeve, por duhet të vazhdojë të marrë kujdes mjekësor 24 orë në 24.

Ndërkohë, babai i saj, ish-kolonel i shërbimeve sekrete ruse, mbetet në gjendje të rëndë. Mbi 20 vende, pjesa dërrmuese e të cilave anëtare të NATO-s, u solidarizuan me Britaninë, duke dëbuar gjithashtu diplomatë rusë, ndonëse shumë më pak krahasuar me Shtetet e Bashkuara./abcnews.al