Superiorja nisi, ndërkohë që të dielën ka sërish ndeshje. Faza e katërt merr rrugë dhe janë pesë ndeshje në program, të gjithë të dielën. Veçuar nga të tjerat është përballja Partizani-Kukësi, që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” prej orës 20:00.
Takimet e tjera nisin prej orës 17:00 dhe klube si Tirana e Skënderbeu janë të dënuar të fitojnë, edhe pse luajnë në transferta. Bardheblutë përballen me Luftëtarin, që i hapi punë goxha Kukësit, kurse korçarët shkojnë në Vlorë dhe do tentojnë pikët e plota kundër Flamurtarit.
Dy sfidat e tjera janë për t’u parë. Bylisi, pas disfatës me Tiranën, duhet të bëjë autokritikë dhe përballë do të ketë Teutën që do kupat e Europës. Të njëjtin objektiv ka edhe Laçi, që luan sërish brenda. Këtë herë ndaj Vllaznisë, skuadër që po tenton të largohet nga zona e ftohtë dhe të mos përjetojë një finale mbijetese në muajin gusht. /abcnews.al