Edhe pse abuzimi i vajzës 15 vjeçare në Babrru ka nisur të paktën dy vite më parë që kur ajo ishte në klasën e 8-të, drejtori i shkollës ku e mitura studionte mohon të ketë pasur dijeni për ngacmimet apo abuzimet seksuale nga roja i shkollës.
Në një intervistë për ABC News, Besnik Daci, drejtori i shkollës 9 vjeçare “Azem Hajdari” në Babrru shprehet se prindërit e nxënësve nuk kanë bërë asnjë denoncim në drejtorinë e shkollës.
Ai thotë se roja i shkollës sillej keq me nxënësit dhe shpesh herë u ngrinte zërin.
“Është çështje e cila ka ndodhur jashtë territorit të shkollës, jashtë institucionit arsimore. Është çështje që lidhet me veprimtari të shkuar para 2 a 3 viteve.
Theksoj se në mënyrë kategorike nuk kam pasur asnjë ankesë nga prindërit, asnjë ankesë nga nxënësi, asnjë ankesë nga mësuesi kujdestar. Të gjitha ankesat që kanë qenë për natyra të tjera janë trajtuar me përparësi. Kjo ankesë është marrë vesh vetëm kur u bë publik nga media.
Lidhur me ngacmimin seksual nuk kam pasur asnjë ankesë. Mund të kem pasur 2-3 ankesa nga prindër për një ton të lartë të tij, për një të bërtitur, për të cilën e kam këshilluar që të jetë sa më etik në marrëdhëniet e punës”.
Besnik Daci shprehet se 65-vjeçari Doga, është transferuar nga institucioni që ai drejtonte në një tjetër shkollë për arsye personale dhe në vend tij, si roje i shkollës u punësua djali i Abazit. Drejtori ka folur dhe për sjelljen e vajzës në shkollë.
“Është punonjës që është emëruar nga Bashkia. Nuk është larguar për këtë çështje nga shkolla, është transferuar me motiv tjetër personal për të cilën unë nuk kam dijeni.
Kam mbledhur të dhëna për një ish-nxënës se si ka qenë në parim me sjelljen e tij, dhe më rezulton se nuk ka qenë shqetësuese. Ka qenë një nxënëse mesatare, e cila preferonte të ishte pak e zhurmshme me shokët dhe shoqet e klasës, për të cilat kanë mjaftuar masat edukative të shkollës për të mos qenë problem”.
Për ABC News, jashtë kamerës psikologja e shkollës tregon se nuk ka pasur dijeni për këtë çështje, as nga vajza apo familjarë të saj./abcnews.al