Një javë pas goditjes së një grupi kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave Policia ka goditur një tjetër rast në kryeqytet.
Një 26-vjeçar nga Elbasani ka rënë në prangat e Policisë në Tiranë, pasi ishte konstatuar nga efektivët se shiste lëndë narkotike në afërsi të perimetrit të shkollave.
Pas informacioneve që policia kishte siguruar në rrugë operative, Xhuljan Mucca u mbajt nën vëzhgim nga efektivët e komisariatit nr 4 dhe gjatë kontrollit fizik, të riut iu sekuestrua një sasi kokaine, e ndarë në dhjetëra doza, dhe një thikë.
Dyshohet se 26-vjeçari do ta shiste lëndën narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, në afërsi të shkollave.
Ndërkohë materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


