Pas Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës e AADF marrëveshje për Piramidën

schedule12:32 - 27 Mars, 2018

schedule 12:32 - 27 Mars, 2018

Pas Pazarit të Ri, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Amerikan i Zhvillimit nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e Piramidës. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, deklaroi se piramida do të kthehet në qendrën më të madhe për të rinjtë, për teknologjinë, artin dhe kulturën.

Piramida në Tiranë do të shndërrohet në qendrën më të madhe multifunksionale për të rinjtë, me fokus, kryesisht në arsimimin digjital, por dhe artin e kulturën.

Pas projektit të Pazarit të Ri, kryebashkiaku Erion Veliaj firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

“Më vjen mirë që në këtë projekt jemi bashkë edhe me qytete të tjera të Evropës, si Parisi, apo qytete me më shumë burime financiare se sa ne, si Abu Dhabi apo Dubai. Krenohemi që qyteti ynë është qyteti më i ri sot në Shqipëri, e kësisoj edhe qyteti më i ri në Evropë, me moshën mesatare 28 vjeç. Është mëkat të mos e shfrytëzojmë këtë hapësirë, e cila është sfidë, por edhe mundësi që të investohemi te rinia dhe sidomos te aftësimi digjital i të rinjve”, tha Veliaj.

“Jemi duke kërkuar shumë për të gjetur modele në fushën e arsimit, të qëndrueshme dhe moderne, të cilat bota i ka provuar. Një ndër këto është projekti “TUMO”, të cilin e kemi parë në disa vende, kemi folur me ta dhe për kënaqësinë tonë të madhe, jo vetëm që kanë pranuar të vijnë, por kanë pranuar edhe ta menaxhojnë në vitet e para, padiskutim nën kujdesin tonë të përbashkët, financimin tonë të përbashkët”, tha Mata.

Projekti, sipas kryebashkiakut, është i ndarë në dy faza: fillimisht do të nisë puna për rehabilitimin e godinës dhe më pas për mirëmenaxhimi e saj.

Aktualisht, Bashkia e Tiranës është duke biseduar me disa nga studiot më të mira të arkitektëve dhe brenda Majit do të bëhet edhe prezantimi publik i i projektit për Piramidën./abcnews.al