Një punëtor shqiptar ka humbur jetën në Greqi. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin Volos. Shqiptari, i moshës 45 vjeç, ishte duke punuar në një fabrikë kur ndodhi një shpërthim i madh duke shkaktuar zjarr.
45-vjeçari, së bashku me dy punëtorë të tjerë, ishin duke salduar kur papritur ndodhi një shpërthim gazi dhe ndërtesa u përfshi nga flakët e zjarrit. Fatkeqësisht shqiptari nuk mundi të dilte dhe humbi jetën i asfiksuar nga tymi.
Trupi i tij i pajetë u gjet në disa shkallë të brendshme të ndërtesës. Identiteti i tij nuk është bërë publik, ndërsa mediat greke thonë se ai ishte baba i tre fëmijëve. Dy punonjësit e tjerë arritën të dilnin nga godina pa lëndime të mëdha.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe të ndihmës së shpejtë. Pas 3 orësh përpjekje, zjarrfikësit mundën të vendosnin në kontroll flakët e zjarrit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit në fabrikë. /tvklan.al